Përsëri alarm bombash në shkollat e Tetovës dhe Shkupit, MPB-ja assesi t’i identifikojë kërcënuesit

Mëngjesin e sotëm ka pasur përsëri njoftime për vendosjen e bombave në disa shkolla në Shkup dhe Tetovë, të cilat si qindra njoftime deri tani kanë rezultuar të rreme dhe që kanë ngjallur vetëm panik dhe frikë, ndërsa institucionet nuk arrijnë t’i identifikojnë kërcënuesit, raporton Portalb.mk.

Mëngjesin e sotëm disa shkolla në Shkup dhe Tetovë kanë marrë njoftime për gjoja vendosje të mjeteve shpërthyese, pas çka menjëherë janë aktivizuar procedurat standarde të sigurisë dhe kontrollet policore.

Pas marrjes së denoncimeve, nga ana e zyrtarëve policorë janë ndërmarrë masa dhe aktivitete përkatëse dhe është konstatuar se bëhet fjalë për kallëzime të rreme.

“Nga Sektori për Krim Kompjuterik, në bashkëpunim me sektorin për terrorizëm dhe përmes sektorit për bashkëpunim ndërkombëtar policor, po ndërmerren masa, përkatësisht po zhvillohet hetim lidhur me pronarin e postës elektronike, pra nga është dërguar njoftimi i rremë për bomba”, thanë nga Ministria e Brendshme.

Ata thonë se vetë hetimet janë jashtëzakonisht komplekse, të lidhura me shkëmbim ndërkombëtar të informacionit dhe mbështetje.

Mesazhe të tilla, edhe pse në shumicën e rasteve përfundojnë si “alarm i rremë”, çdo herë prodhojnë të njëjtin efekt në terren, ndërprerje të mësimit, shqetësim te nxënësit, panik te një pjesë e prindërve dhe angazhim të panevojshëm të resurseve që duhet të orientohen drejt rreziqeve reale të sigurisë.

Vitet e fundit kanë treguar se “valë” të tilla njoftimesh mund të përsëriten në seri dhe në disa qytete, duke hapur edhe një dilemë më të gjerë se a bëhet fjalë për huliganizëm, për kopjim të modeleve të mëparshme, apo për testim të sistemit dhe të psikologjisë publike përmes një e-maili.

Vetëm vitin 2025 pati mbi 300 kërcënime me bomba, kërcënime nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht nga viti 2022 e këndej, por që rezultonin të rrejshme.

Në një pjesë të rasteve të mëparshme, MPB ka njoftuar se kontrollet kanë përfunduar pa gjetje të objekteve të rrezikshme, ndërsa në disa raste janë identifikuar edhe autorë konkretë.

Kërcënimet me bomba kanë qenë gjithashtu të përhapura edhe në rajon.