Kolona të gjata kamionësh në Bllacë, Dogana thotë se vonesat janë shkaktuar nga punimet në sistemin e IT-së

Kolona të gjata kamionësh të ngarkuar me mallra janë krijuar sot në pikën kufitare në Bllacë, në dalje nga Maqedonia e Veriut drejt Kosovës, ku shoferët janë ankuar për pritje me orë të tëra. Nga Dogana thonë se vonesat janë shkaktuar nga punimet për rregullimin e sistemit të IT-së në këtë pikë kufitare, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) thonë se janë ndërmarrë të gjitha masat për përshpejtimin e qarkullimit, shkruan Portalb.mk.

Zëvendësdrejtori i Doganës, Mustafa Dauti, tha se vonesat kanë ardhur si pasojë e punimeve për rregullimin e sistemit të IT-së. Megjithatë, sipas tij, sistemi tashmë është rregulluar dhe qarkullimi po zhvillohet normalisht.

“Këto ditë kemi pasur disa vonesa, për shkak se kemi punuar në rregullimin e sistemit të IT-së. Kemi punuar kohë pas kohe, me ndërprerje të shkurtra, në mënyrë që të mos e bllokojmë qarkullimin. Tani besoj se sistemi është rregulluar dhe qarkullimi vazhdon normalisht”, tha Dauti për Portalb.mk.

Ndërkaq, nga MPB-ja thanë për Portalb.mk se janë ndërmarrë të gjitha masat për përshpejtimin e qarkullimit të automjeteve transportuese.

“Nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike për përshpejtimin dhe zhvillimin pa pengesa të qarkullimit të automjeteve transportuese, duke vazhduar njëkohësisht kontrollet e detyrueshme kufitare”, thanë nga MPB-ja.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë vendosur sistemin e përbashkët të kontrolleve kufitare “One Stop Shop”, me qëllim lehtësimin dhe përshpejtimin e qarkullimit ndërmjet dy shteteve. Megjithatë, edhe pas vendosjes së këtij sistemi, herë pas here janë raportuar kolona të gjata dhe pritje në vendkalimet kufitare.