Armë dhe uniforma ushtrie në aktivitetin e nxënësve maqedonas të shkollës “Goce Dellçev” në Tetovë, Janevska u zotua se do kërkohet përgjegjësi

Në manifestimin e nxënësve maqedonas të shkollës fillore “Goce Dellçev” ku e shënuan 82 vjetorin e çlirimit të Tetovës u panë persona të veshur me uniforma ushtrie që mbanin armë. Portab.mk e pyeti ministren e Arsimit, Vesna Janevska nëse do të kërkojë përgjegjësi, siç kërkoi para dy viteve kur në një manifestim në fshatin Çellopek, nxënësit shqiptarë ishin të veshur me uniforma të UÇK-së dhe mbanin armë plastike.

Çfarë ndodhi në Tetovë?

Më 19 nëntor, shkolla fillore “Goce Dellçev” organizoi manifestim para Pallatit të Kulturës së Tetovës, ku gjatë performancave të nxënësve, aty qëndronin persona të veshur me uniforma të ushtrisë dhe mbanin armë.

“Me rastin e 82-vjetorit të çlirimit të Tetovës, nxënësit e klasës IV-3 të shkollës sonë morën pjesë në programin festiv dhe dhanë kontributin e tyre në shënimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike. Përmes këtyre aktiviteteve, nxënësit zhvillojnë talentet dhe krijimtarinë e tyre, mësojnë ta respektojnë historinë, ta mbajnë gjallë kujtimin e së kaluarës dhe ta kultivojnë dashurinë për qytetin e lindjes”, thuhet në videon e publikuar në Facebook nga faqja e shkollës.

A do të ketë Janevska qëndrimin e njëjtë si me uniformimin e nxënësve shqiptarë?

Për këtë rast, Portalb.mk e pyeti ministren e Arsimit, Vesna Janevskën nëse Inspektorati Shtetëror i Arsimit do veprojë për këtë rast, siç u veprua me shkollën në Çellopek.

Janevska tha se nëse vërtetohet se rasti ka ndodhur, do të kërkohet përgjegjësi.

“Sigurisht, nuk ka dilemë. Do të veprojë edhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe, nëse vërteton se është e vërtetë, do të kërkohet përgjegjësi”, deklaroi Janevska.

Ajo theksoi se do të kërkojë edhe zbatimin e programeve për bashkëpunim dhe mirëkuptim ndëretnik, si dhe multikulturalizëm në shkolla.

“Ne ndajmë mjete për këtë. Sigurisht, do të bëjmë edukim shtesë, ashtu siç bëmë edhe në Çellopek. Do t’u kërkojmë partnerëve tanë të huaj të përfshihen në këto procese, në mënyrë që të arrijmë efekt më të madh”, shtoi Janevska.

Çfarë ndodhi në Çellopek para dy viteve?

Gjatë festimeve për festat e nëntorit në vitin 2024, në shkollën fillore “7 Marsi” në Çellopek të Komunës së Bërvenicës, nxënësit ishin të veshur me uniforma të UÇK-së dhe mbanin armë plastike.

Për këtë rast menjëherë reagoi ministrja e Arsimit Vesna Janevska, duke paralajmëruar sanksione.

“Kur në shkollë bëhet ndonjë ngjarje që promovon militantizëm me uniforma të ushtrisë së parregullt me emblema dhe me armë lodrash e pistoleta, nuk tregon këto vlera. Prandaj do të dërgojmë Inspektoratin Shtetëror të Arsimit të kontrollojë nëse gjërat po shkojnë sipas planit, nëse është raportuar për këtë lloj ngjarjeje, kush e ka miratuar këtë lloj ngjarjeje dhe çdo gjë tjetër që nënkupton punën e duhur të menaxhmentit, nëse korrespondon me Ligji për arsimin bazë, ku thuhet se nuk do të ketë diskriminim”, theksoi atëherë Janevska.

Më pas Inspektorati Shtetëror i Arsimit hetoi rastin, ndërsa përgjegjësia iu la njërës nga mësimdhënëset që e organizoi manifestimin.

Nisma e ministres së Arsimit Vesna Janeva për hetim nga Inspektorat i Arsimit në këtë shkollë u konsiderua si ksenofobike nga partitë opozitare shqiptare në vend.