Kovaçevski dhe Mickoski do të takohen të mërkurën në Klubin e deputetëve

Të mërkurën do të zhvillohet takimi i kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, konfirmuan nga kabineti i kryeministrit, transmeton Portalb.mk.

“Ju informojmë se me ftesë të kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, do të mbahet takim i kryeministrit Kovaçevski dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski”, thuhet në njoftimin e kabinetit të kryeministrit. 

Takimi është caktuar për datën 7 qershor 2023 (e mërkurë) në Klubin e Deputetëve në orën 11:00.

Në takim, siç u tha, do të diskutohet para së gjithash për vendimet që duhet të merren në Kuvend për vazhdimin e integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për qasjen e shtetit, të institucioneve dhe të gjithë aktorët politikë në drejtim të ndërtimit dhe ruajtjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët tanë.

Lidhur me këto bisedime me Mickoskin, kryeministri Kovaçevski, disa ditë më parë tha se këto janë bisedime për vendime që duhet të merren për të arritur një qëllim strategjik të shtetit, sepse partitë politike dhe deputetët në Kuvend kanë obligim dhe përgjegjësi para qytetarëve që të marrin vendime që mundësojnë një të ardhme më të mirë dhe një standard më të mirë jetese të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.

“Anëtarësimi në BE nuk është qëllim në vetvete, anëtarësimi në BE është qëllim me të cilin ne e arrijmë atë që duan qytetarët. E përsëris disa herë, ne kemi pasur një standard jetese më të lartë se Sllovakia, Polonia, Rumania, Bullgaria dhe të gjitha vendet që kanë qenë pjesë e Traktatit të Varshavës. Dikur kishim një standard shumë më të lartë. Sot, ato vende kanë një standard më të lartë se i yni. Qytetarët tanë shkojnë dhe punojnë në këto vende. Vetëm për shkak se këto vende janë anëtarësuar në BE dhe vendet e tyre janë pjesë e tregut të përbashkët të BE-së, i cili është tregu më i madh dhe më i pasur në botë”, theksoi Kovaçeski.

Lidhur me atë se a është optimist se procesi do të jetë i suksesshëm, kryeministri tha se edhe vitin e kaluar ka thënë se është një optimist racional dhe se po punon për të arritur qëllimin për t’u anëtarësuar në BE.

Në pyetjen se çfarë nëse nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski tha se “do të kemi të njëjtën që kemi pasur nga viti 2006 deri në vitin 2016”.

“Në vend të integrimit do të kemi izolim dhe e kemi parë se si duket izolimi. Pa infrastrukturë, shtet të robëruar, në lirinë mediatike ishim në vendin e 130-të, tani jemi të 38-të në botë, shteti ligjor, i karakterizuar si regjim hibrid, sot mediat kanë kërcyer 19 vende për një vit”, tha kryeministri Kovaçevski.

Nga ana tjetë Mickoski është shprehur se e rëndësishme që duhet të diskutohet në atë takim është që pas dështimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat, siç tha ai, është gjithnjë e më e sigurt se nuk do të ndodhin, sepse grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni nuk do t’i mbështesë.

“Ajo që është e rëndësishme të thuhet është se nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë paraparë nga qeveria e BDI-së e mbështetur nga LSDM-ja. Kjo është shumë e rëndësishme të thuhet dhe duhet të shohim se çfarë plani po shkon përpara, sepse nuk mund ta mbyllim vendin, nuk mund ta mbyllim Maqedoninë dhe të mos dimë se çfarë do të ndodhë nëse dështojnë. Dhe ka gjithnjë e më shumë gjasa që ata të mos kenë sukses. Nëse ata tashmë shpallin se do të hyjnë në procedurë parlamentare, kjo është një pjesë e planit, por nëse dështojnë dhe është më e sigurt se nuk do t’ia dalin sepse ne si koalicion, si VMRO-DPMNE, grupi jonë i deputetëve nuk do t’i mbështesë ata. Çfarë bëjmë më pas? Mendoj se duhet ta diskutojmë edhe këtë, por fillimisht të presim, se cili do të jetë formati, ku do të ishte vendi, ora, dita. Praktikisht nuk kemi gjë tjetër veç deklaratave publike të Dimitar Kovaçevskit”, theksoi Mickoski.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.