Pas raportimit të Portalb për ankesat e gazetarëve, Gjykata e Tetovës lëshoi në funksion zërimin

Altoparlantët dhe mikrofonat në Gjykatën Themelore të Tetovës u lëshuan në funksion që gazetarët të dëgjojnë më mirë folësit në seancat gjyqësore të interesit publik. Kjo u bë pas raportimit të Portalb.mk për këtë problem si pasojë e ankesave të gazetarëve të Tetovës për mungesën e zërimit adekuat në sallë dhe vështirësitë në të kuptuar atë çfarë thonë folësit.

Gjykata Themelore e Tetovës fillimisht njoftoi se pas pyetjeve gazetareske të Portalb.mk për këtë problem rreth ankesave të gazetarëve ky problem është zgjidhur.

“Ju njoftojmë se të njëjtët (altoparlantët dhe mikrofonat) janë vënë në funksion”, thanë nga Gjykata e Tetovës për Portalb.mk.

Megjithatë në një seancë gjyqësore më 29 maj 2023 ku gazetarët ishin prezent në sallë, zërimi nuk funksiononte përsëri.

Kërkuam sqarim përsëri në gjykatë se pse në praktikë kjo nuk u zbatua, nga Gjykata na thanë se për lëshimin në funksion të tyre gjatë seancës duhet të konsultohemi me gjykatësin që udhëheq lëndën.

“Ju njoftojmë se të njëjtët janë në funksion. Për ndryshime eventuale në seanca gjyqësore drejtohuni te gjykatësi që drejton seancën”, thanë nga Gjykata e Tetovës.

Se kjo është rregulluar, gazetari i Portalb.mk e verifikoi në një seancë gjyqësore ku ishte i pranishëm dhe mikrofoni ishte i lëshuar dhe dëgjohej zëri në altoparlant.

Mikrofon në sallën gjyqësore në Gjykatën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mikrofon në sallën gjyqësore në Gjykatën e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

 

Përndryshe, gazetarët nga rajoni i Tetovës ankoheshin për zërim të dobët pasi edhe pse në një nga sallat kryesore ku ata ndjekin seanca gjyqësore të interesit publik kishte të vendosura mikrofona dhe altoparlantë, të njëjtat nuk ishin funksionale për këtë qëllim.