Përfundimisht nuk filloi asfaltimi i rrugës “Boris Kidriç” siç tha Kasami

Asfaltimi i rrugës “Boris Kidriç” në Tetovë akoma nuk ka filluar, edhe pse kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, kishte premtuar para disa ditëve që një gjë e tillë do të ndodhë, transmeton Portalb.mk.

Ky asfaltim është dashur të fillojë më 9 korrik, pasi një ditë më parë kishte premtuar Kasami. Sipas Kasamit, punimet e 9 korrikut janë anuluar për shkak se operatori ka pasur disa pengesa, dhe se të njëjtat do të fillonin me 10 korrik, por as kjo nuk u bë, në terren nuk ka pasur punime këto ditë.

Paraprakisht qytetarët dhe mërgimtarët janë ankuar se bllokimi i kësaj rruge shton kaosin në trafik në pikun e sezonit veror.

Punimet për rikonstruimin e rrugës prej rreth 350 metrave “Boris Kidriç” e cila fillon nga rruga “Jane Sandaski” dhe do të përfundojë te rruga “Bllagoja Toska” filluan në fund të tetorit 2024.

Në nëntor të vitit 2024 nga Komuna e Tetovës patën thënë se ndërsa afati i realizimit do të jetë katër muaj që nga futja në punë e kompanisë që do t’i realizoj punimet, që i bie se deri në fund të muajit shkurt 2025, rruga do duhej të kishte përfunduar. Por që nuk u bë. 

Rikonstruimi i rrugës për momentin nuk është planifikuar të bëhet në pjesën e cila kalon nga Qendra Sportive, ku rruga është e dëmtuar dhe me gropa.

Komuna e Tetovës për Portalb.mk paralajmëroi se do të nisë edhe punimi i projektit për këtë pjesë. 

Për ndërtimin e rrugës “Boris Kidriç” është përzgjedhur kompania Çabi Trans. Мë 6 shkurt 2024 Komuna e Tetovës e ka nënshkruar marrëveshjen me vlerë 7.146.737,26 denarë, kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj.

Ndërsa më 7 gusht 2024 u nënshkrua edhe një marrëveshje tjetër për të njëjtën rrugë në vlerë prej 4.874.580 denarësh me kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Kujtojmë që rikonstruimi i rrugës Boris Kidriç ishte premtuar se do të bëhej gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi. Banorët që jetojnë përgjatë kësaj rruge moti kohë kanë kërkuar që të rikonstruohet rruga.