Kaos në pikun e verës në ‘Boris Kidriç’: Njëra pjesë ende pa asfalt, Kasami thotë se asfaltimi pritet të fillojë sot

Njëra korsi e rrugës ‘Boris Kidriç’ vazhdon të mbetet pa asfalt dhe jashtë funksionit, pavarësisht se sipas premtimeve rikonstruimi i kësaj rruge do duhej të kishte përfunduar dhe lëshuar në përdorim. Qytetarët alarmojnë se qyteti ndodhet në pikun e kaosit të trafikut dhe kjo rrugë duhet të lëshohet në përdorim sa më parë. Kryetari i Tetovës thotë se asfaltimi pritet të fillojë sot, shkruan Portalb.mk. 

Qytetarët kërkojnë që kjo rrugë të asfaltohet sa më shpejtë dhe të lëshohet në përdorim, sepse tani është edhe piku i komunikacionit në Tetovë me ardhjen e mërgimtarëve. 

“Duhet sa më shpejt të asfaltohet, kjo nuk është në rregull, verës lëre që është tollovi por edhe kjo rrugë të jetë e bllokuar vetëm e përkeqëson situatën”, tha një qytetar. 

Disa qytetarë madje thonë se kjo duhej të ishte bërë para fillimit të sezonit veror, sepse është një zonë mjaft e frekuentuar dhe me lokale të ndryshme. 

“Sidomos mbrëmjeve është tollovi këndej, sepse të gjithë dalin kur bëhet më fllad, këtu ka plot lokale dhe bëhet vërtetë tollovi”, tha një qytetar. 

Kritika kanë edhe mërgimtarët. 

“Kështu nuk priten gurbetçarët, kjo duhej të ishte bërë prej më herët, duam ta shohim qytetin mirë, mirëpo mund të planifikohen punët më mirë që mos të ketë kështu rastesh”, tha një mërgimtar. 

Punimet për rikonstruimin e rrugës prej rreth 350 metrave “Boris Kidriç” e cila fillon nga rruga “Jane Sandaski” dhe do të përfundojë te rruga “Bllagoja Toska” filluan në fund të tetorit 2024 

Në nëntor të vitit 2024 nga Komuna e Tetovës patën thënë se ndërsa afati i realizimit do të jetë katër muaj që nga futja në punë e kompanisë që do t’i realizoj punimet, që i bie se deri në fund të muajit shkurt 2025, rruga do duhej të kishte përfunduar. Por që nuk u bë. 

I pyetur për këtë, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se vonesat janë të natyrave të ndryshme, pasi operatori ka pasur vonesa nga ana e komunës për pagesa. 

Ai tha se sipas premtimit të operatorit sot duhet të bëhet asfaltimi edhe i pjesës tjetër. 

“Gjithashtu punojmë që shpejtë të rregullohet edhe pjesa e shëtitores me një shtresë të betonit, me çka përmbyllen punët në fazën e parë. Veç më jemi në fazën e përpilim të programës zhvillimore ku do të parashihet edhe faza e dytë dhe përfundimtare me çka ky bulevard do të merr pamjen ashtu siç e kemi premtuar, nëse gjithçka do të shkojë mirë në fazën e tenderimit, besoj që shpejtë të përmbyllet edhe faza e dytë, besoj para përfundimit të vitit, pra deri në fund të vitit të kompletohet si projekt”, tha dje Kasami. 

Rikonstruimi i rrugës për momentin nuk është planifikuar të bëhet në pjesën e cila kalon nga Qendra Sportive, ku rruga është e dëmtuar dhe me gropa. Komuna e Tetovës për Portalb.mk paralajmëroi se do të nisë edhe punimi i projektit për këtë pjesë. 

Për ndërtimin e rrugës Boris Kidriç është përzgjedhur kompania Çabi Trans. Мë 6 shkurt 2024 Komuna e Tetovës e ka nënshkruar marrëveshjen me vlerë 7.146.737,26 denarë, kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj. Ndërsa më 7 gusht 2024 u nënshkrua edhe një marrëveshje tjetër për të njëjtën rrugë në vlerë prej 4.874.580 denarësh me kohëzgjatje prej 12 muajsh.

Kujtojmë që rikonstruimi i rrugës Boris Kidriç ishte premtuar se do të bëhej gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi. Banorët që jetojnë përgjatë kësaj rruge moti kohë kanë kërkuar që të rikonstruohet rruga.