Për t’u bërë drejtor në RMV mjafton ta çosh mirë me partinë, assesi të miratohet ligji që do ta parandalojë këtë
Maqedonia e Veriut është shteti ideal për ata që duan të bëhen drejtorë edhe kur kanë mungesë së kualifikimeve profesionale ose shkollimit adekuat. Për të qenë në krye të ndonjë institucioni, mjafton ‘ta çosh mirë’ me partinë. Kjo situatë çon në vendosjen e ushtruesve të detyrës së drejtorit ndërsa e dëmton administratën e shtetit. Ligji që do të parandalonte këtë qëndron në sirtarët e Kuvendit të RMV-së pëderisa nuk merren parasysh as kritikat e përsëritura çdo vit të Bashkimit Evropian, shkruan Portalb.mk.
Dëshpërues është fakti që në mesin e tre ligjeve për administratë që u futën në procedurë kuvendore javën që shkoi, mungoi Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës, që parasheh vendosjen e meritokracisë në përcaktimin e drejtorëve. Duket se ligji nuk është ndër prioritetet e qeverisë së re dhe Ministrisë së Administratës, edhe pse Komisioni Europian po e kërkon, ndërkaq në Strategjinë shtetërore për Reformën e Administratës Publike është vendosur si nevojë themelore, me arsyetimin se pikërisht nga ai duhet të fillojnë ndryshimet.
Për arsyet se pse u shmang ky ligji, ka disa ditë që Portalb.mk tenton të merr përgjigje nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, por nga atje nuk marrim përgjigje.
Ministri i Ministrisë së Administratës, Goran Minçev, në daljet e tij publike, duke folur për reformën e administratës, nuk e përmend aspak këtë ligj. I njejti nuk është e përfshirë as në programet e partive në pushtet dhe as në atë të qeverisë.
Meqë VLEN ka premtuar depolitizim të administratës, qëndrim kërkuam edhe nga anëtarët e VLEN në komisionin kuvendor për sistem politik, ku diskutohen këto ligje, Bekim Qoku dhe Merita Koxhaxhiku, por, edhe nga ata përgjigje nuk morëm.
Pasojat e mungesës së një kuadri ligjor që do ta rregullonte emërimin dhe do të përcaktonte kritere për përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve u ndjenë që në ditët e para të kësaj qeverie.
Analiza e organizatës CUP tregon që sipas ligjeve aktuale, kërkohen plotësim i kritereve minimale për t’u bë drejtor. Këto kritere kryesisht kanë të bëjnë me vërtetimin e shtetësisë, pastërtisë para ligjit, shkollimi i lartë dhe certifikat ndërkombëtarë për njohje të gjuhëve të huaja.
Por përvoja tregon që as këto kritere minimale shpesh herë nuk respektohen.
Kujtojmë se Ibrahim Elezi për pak orë e shijoi postin e drejtorit të Burgut të Idrizovës, procedura për emërimin e tij u ndërpre kur opinioni publik reagoi se ky person ka qenë vetë i burgosur, në të njëjtin burg edhe atë për 4 vjet.
Më pas, me ‘aminin’ e partisë por pa poseduar certifikatën e nevojshme, Afrona Verzivolli arriti të bëhet kryevizore e Trupit për Revizionin e Fondeve IPA. Pasi Antikorrupsioni hapi lëndë, Qeveria e shkarkoi atë nga kjo detyrë.
Një shembull tjetër emërimi i drejtorit të Drejtorisë për Ekzekutim të Sanksioneve, Aleksandar Pandov.
Rasti më i ri që ditëve po bën bujë është emërtimi i drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski i cili akuzohet se nuk plotëson kushtet e duhura. Madje, Prokuroria Publike për të hapi lëndë më 1 nëntor, pas një denoncimi për falsifikim dokumenti ndërkaq Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) hapi rast më 22 tetor pasi mori një ankesë anonime që kundërshtonte ligjshmërinë e emërimit të tij.
Hulumtimi i Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN) për periudhën e vitit 2023 tregon se instituti “ushtrues detyre ose u.d.” përdoret në të gjitha fushat e veprimit dhe në të gjitha llojet e institucioneve. Kështu, gjatë viteve të kaluara, ushtrues detyre (u.d.) janë emëruar 39 përqind e drejtorëve të 252 institucioneve nga sektori publik. Analiza tregon se ligjet aktuale përmbajnë kushte minimale për zgjedhjen e drejtorëve. Kushtet janë reduktuar kryesisht në dëshminë e shtetësisë, mospasje vepër penale, arsim të lartë, përvojë të caktuar pune dhe certifikatë ndërkombëtare të gjuhës së huaj. Mirëpo me rastin e Hristovskit, autenticiteti i atyre kushteve minimale po vihet gjithashtu në pikëpyetje.
Partitë nuk janë të gatshme të prishin ‘kulaçin’ e pushtetit
Eksperti Borçe Davitkovski i cili është ligjërues i Administratës Publike, për Portalb.mk shprehet pesimist se ky ligj ndonjëherë do të miratohet në Kuvend.
“Shumë është e vështirë që një ligj i tillë të miratohet në Maqedoni, sidomos për faktin që partitë tona e kanë shumë të rëndësishme që njerëzit e vet t’i vendosin në pozita të larta udhëheqëse ndërsa nëse miratohet ky ligj, do të duhet që në përputhje me parimin e profesionalizmit dhe kompetencës të pranohen kandidatët” tha Davitkovski.
Davitkovski shtoi se ‘faturën’ e mospasjes së një rregullimi të tillë ligjor e paguajnë qytetarët, të cilët detyrohen t’i nxjerrin nga kriza institucionet e shkatërruara.
“Pasojat e mos pasjes së një rregullimi të tillë ligjore ne i shohim dhe i ndjejmë çdo ditë, për shembull shohim përditë njerëz jokompetent, pa shkollim adekuat vendosen në vende të punës si drejtorë të ndërmarrjeve publike dhe ngjashëm” tha Davitkovski.
Që t’i ikin përgjegjësisës, sipas Davitkovskit ata përdorin metodën e vendosjes së ushtrues së detyrës së drejtorit.
“Këta njerëz kryesisht i vendosin ud drejtorë, shihni çfarë ndodhë, nesër edhe po të ketë humbje apo dështime institucioni, këta njerëz nuk janë përgjegjës ndërsa me buxhetin e shtetit, përkatësisht me paratë tona mbulohet jokomepenca apo injoranca e tyre” tha ai.
“Secilën herë që i takoja BDI dhe LSDM për ligjin, gjenin alibi për t’mos e procesuar”
Admirim Aliti ishte ministër për Administratë dhe Shoqëri Informatike dhe ndër autorët e këtij ligji. Portalb-i bisedoi me Alitin, thotë se përkundër shumë takimeve, te zyrtarët asnjëherë s’ka ekzistuar vullnet për ta miratuar këtë ligj.
“Përkundër që bëmë përpjekje të konsiderueshme, në atë kohë nuk patëm mbështetjen e nevojshme nga BDI dhe LSDM. Tre herë kemi pasur takim une, kryeministri i atëhershëm dhe zëvendës kryeministri i parë i atëhershëm, Artan Grubi për këtë ligj, por secilën herë kerkonin ndryshime dhe alibi per mos ta procesuar te njejtin ne Qeveri, e me pastaj ne Kuvend” tha Admirim Aliti.
Thotë se synimi i tyre ishte që të sigurojnë administratë publike më profesionale.
“Ligji për Udhëheqësit e Lartë ka një rëndësi të veçantë, pasi është thelbësor për të siguruar një administratë publike profesionale, transparente dhe të përgjegjshme. Ky ligj përcakton standardet për rekrutimin dhe vlerësimin e udhëheqësve të lartë, duke përmirësuar ndjeshëm integritetin dhe eficiencën në menaxhimin e administratës shtetërore” shtoi Aliti.
Kujtojmë që partia nga e cila ishte propozuar Admirim Aliti për ministër sot është në pushtet ndërsa nuk përgjigjen për Portalb nëse do të bëjnë përpjekje që të kalojnë këtë ligj ose jo.
Komisioni Antikorrupsion disa herë ka ngritur procedura për vendosje të drejtorëve jokompetent, sidomos në kohën kur drejtore ishte Biljana Ivanovska. Ajo për Portalb.mk thotë se kështu vazhdon avazi i punësimeve partiake.
“Konsideroj që me mos-miratimin e ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës edhe më tutje vazhdon të sundojë ndikimi i fortë politik në administratë, të cilët përmes njerëzve të tyre kanë kontroll të plotë në punën e institucioneve” tha Biljana Ivanovska, ish drejtuese e Komisionit për Antikorrupsion.
Shtoi se partitë kryesisht frikësohen të humbin pushtetin në dy çështje.
“Mjafton t’i përmendi dy më të rëndësishmet, procesin e punësimit dhe procedurën e prokurimeve publike” shtoi Ivanovska.
Ligji zvarritet nga viti 2018 dhe nuk miratohet për shkak se partitë politike nuk kanë pranuar të mbështesin një ligj i cili do “t’ua lidhte duart” në zgjedhjen dhe emërimin e funksionarëve të lartë.
Ligji kërkon që qeveria të zgjedhë përbërjen e Komisionit të Shërbimit të Lartë Udhëheqës në një mënyrë të ngjashme me atë se si zgjidhet tani Komisioni Kundër Korrupsionit, për të siguruar transparencë. Më pas, ky komision pesë anëtarësh, i cili do të jetë institucion më vete, do të kryejë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për secilën nga këto poste drejtuese në pesë vitet e ardhshme. Do të publikojë shpallje, do të kryejë testime dhe intervista dhe nga i gjithë procesi do të filtrojë deri në tre kandidatë për një pozicion.
Megjithatë, Qeveria dhe ministritë do të kenë sërish fjalën e fundit, ndryshim që u bë në vitin 2023, kur MShIA përgatiti një version të ri, për të cilin Portalb asokohe zbuloi se ishin ‘krasitur’ shumë nene duke tentuar legalizimin e ndikimit partiako-politik në përzgjedhjen e funksionarëve.
Kritikat e qarta të Bashkimit Evropian
Në Raportin e ri të progresit për Maqedoninë e Veriut të Komisionit Evropian thuhet se rekomandimet e bëra nga viti i kaluar nuk janë zbatuar plotësisht, prandaj ende vlejnë. Mes tyre është edhe nevoja e miratimit të ligjit në fjalë.
“Autoritetet duhet që gjatë këtij viti të miratojnë dhe të fillojnë të zbatojnë Ligjin e rishikuar për Nëpunësit Administrativ, Ligjin e rishikuar për Punonjësit e Shërbimeve Publike dhe dispozitat ligjore për Ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës.” thuhet mes tjerash në raport.
- LEXO: RMV, Vazhdon partizimi në RMV, njerëz të “tyre” në krye të institucioneve nën vellon e u. d. drejtorë
- LEXO: RMV, Qeveria në aksion për të legalizuar emërimet partiake përmes ligjit skandaloz për drejtorë dhe udhëheqës profesional
- LEXO: Emërimet partiake, kritika serioze për Ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës i cili premtohet prej vitit 2018-të
- LEXO: Partitë s’duan t’u prishet “kulaçi” i pushtetit, ligji për drejtorë profesional me vite i bllokuar
- LEXO: Tre ministra me radhë të MSHIA-së flasin për Ligjin për Shërbimin të Lartë Udhëheqës, katër vite s’është gati
- LEXO: Viti 2022, administrata publike në RMV assesi të reformohet, problemet kyçe mbeten ‘militantët partiak’ dhe joefikasiteti