Në konkursin e DAP-it, nga 77 vende pune janë pranuar vetëm 12 shqiptarë

77 vende pune, por vetëm 12 për shqiptarët. Ky është rezultati që, sipas burimeve brenda Drejtorisë së të Ardhurave Publike, ka dalë nga konkursi i fundit i brendshëm në këtë institucion. 65 vendet e tjera janë plotësuar me pjesëtarë të komunitetit maqedonas, raporton Alsat.

Konkursi është mbyllur më 28 gusht. Nga Drejtoria për të Ardhura Publike shkurt thanë se punësimet nuk janë bërë në bazë të përkatësisë etnike.

Të dhënat e fundit të publikuara për përfaqësimin e drejtë nga ana e Avokatit të Popullit, i referohen vitit 2024. Sipas kësaj liste nga gjithsej 946 të punësuar, 663, apo 70 për qind janë maqedonas, ndërsa 239, apo 25 për qind janë shqiptarë.

Sipas të dhënave të njëjta, në pozitat udhëheqëse 61 janë maqedonas ndërsa vetëm 9 shqiptarë.

Në Drejtorinë Rajonale të Shkupit, për herë të parë, edhe drejtori rajonal edhe zëvendësdrejtori janë maqedonas.

 

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.

Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.