Tre ministra me radhë të MSHIA-së flasin për Ligjin për Shërbimin të Lartë Udhëheqës, katër vite s’është gati

Sektori civil ka skepticizëm për miratimin e Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, i cili do të duhet të vendos sistem meritokracie gjatë zgjedhjes së krerëve të institucioneve. Sfidë për RMV-në mbetet edhe kthimi i besueshmërisë së qytetarëve të cilët mendojnë se në krye të institucioneve emërohen njerëz me prapavijë partiake dhe pa kualifikimin përkatës.
Kjo mes tjerash u diskutua në debatin online, të organizuar nga Instituti për Demokraci Societas Civilis – Shkup me temë “Emërimi sipas meritokracisë: Çfarë duhet të presim për Ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës”, ku diskutuan ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti, udhëheqësi i Qendrës për Menaxhim të Mirë në Institutin për Demokraci, Misha Popoviq dhe drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Menaxhim me Ndryshime, Neda Maleska Saçmaroska, raporton Portalb.mk.

“Plani është që në dy javët e ardhshme të publikohet në ENER Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës, pastaj do të organizojmë edhe diskutime publike. Këtë ligj dhe Ligjin për Riorganizim dhe Ligjin për Zyrtarët Administrativ i kemi shumë të rëndësishme dhe kemi qëllim që në muajt e ardhshëm t’i kemi në Parlament. Me këtë ligj propozohet që të vendoset sistem i ri i cili do të zbatohet gradualisht, me mundësi që i njëjti të zbatohet në tërë sistemin. Fillimisht do të kyçen 130 institucione, me ide që ai numër të rritet. Zbatimi do të shkojë paralelisht me procesin e riorganizimit. Fillimisht do të zbatohet te tre sistemet ministrore, MSHIA, Ekonomi dhe Bujqësi”, theksoi ministri Aliti.

Megjithatë, duke e pasur parasysh se ky proces ka filluar në vitin 2018-të dhe ministri Aliti është ministri i tretë, pas Jeton Shaqirit dhe Damjan Mançevskit i cili e filloi këtë proces, Neda Maleska nga Qendra për Menaxhim me Kriza u shpreh skeptike sa sistemi i cili parashihet do të vendoset.

“Më vjen mirë që dëgjoj se sërish hapet çështja për miratimin e ligjit, për të cilin flasim prej fillimit të vitit 2018-të. Do të lejoni që të shpreh skepticizëm pasi që ju jeni ministri i tretë me të cilin me këmbëngulje e hapim këtë çështje, megjithatë nuk mund ta shohim përfundimin e miratimit të ligjit ose vendosjen e sistemit i cili do të sigurojë do të thosha më shumë profesionalizim të personave të zgjedhur dhe të emëruar se sa departizim të plotë ose politizim”, tha Maleska, duke rikujtuar se partnerët tanë ndërkombëtar na kanë rikujtuar se një prej pikave kritika është mu shërbimi i lartë udhëheqës dhe çështja e profesionalizimit të kësaj strukture do t’i kemi kuadrot më të mirë të cilët do të mund të zbatojnë politika më të suksesshme dhe efikase për qytetarët.

Siç shpjegoi Maleska, sot në rreth 75% të vende evropiane, vetëm se kanë vendosur shërbim të lartë udhëheqës dhe një pjesë e madhe e debateve që zhvillohet për efikasitetin e administratës, praktikisht është roli dhe rëndësia e shërbimit të lartë udhëheqës apo mënyra se si udhëhiqen institucionet.

Ndaj skepticizmit të Maleskës, theksoi se këtë, megjithatë duhet ta bëjmë pasi që është në të mirë të shtetit.

“E di se ka hapësirë për skepticizëm, por unë mund të them për mua dhe kabinetin tim që nëse do të kisha skepticizmin, nuk do të isha kapur për këtë çështje. Të gjithë duhet ta bëjmë këtë pasi që kjo nuk është për të mirën e partisë time Alternativa, por për të mirën e shtetit”, tha Aliti.

Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci deklaroi se sfida kryesore për emërimin e udhëheqësve të lartë, pavarësisht nëse do të miratohet ligji i ri ose jo është mosbesimi në korrektësinë e procedurës.

“Sfida kryesore me të cilën përballet procesi i emërimit, me ose pa ligjin e ri, është mosbesimi se emërimi i shërbimit të lartë është korrekt. Mendojnë se rruga është partia. Mosbesimin e tillë e kemi parë edhe para emërimin e Antikorrupsionit, pasi që shumë kandidatë nuk kanë hyrë pasi që kanë menduar se zgjedhja nuk do të jetë korrekte, edhe pse ishte korrekt. Ajo që është e sigurt është se figurat më të larta politike, kryeministri, ministrat, veçmas për ato që do të ketë shpallje për pozita nën to, do të duhet të dërgojnë porosi të qarta për inkurajim. Kjo duket naive, por nuk mund të presim shumë në fillim. Megjithatë, miratimi i ligjit nuk do të jetë i mjaftueshëm, pasi që procesi nuk do  ta ketë besimin e nevojshëm, por do të duhet ky besim të kërkohet. Është e nevojshme që procesi i zgjedhjes së Komisionit për Zgjedhje, të bëhet pa incidente. Parametrat se si do të zgjedhën, duhet të shihen parametrat se si është zgjedhur Komisioni për Antikorrupsion”, theksoi Popoviq.

Pasi ministri deklaroi se Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës do të zhvillohet paralelisht me Ligjin për Riorganizim, Maleska i rekomandoi ministrit Aliti që të mos lidhet Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës dhe Ligji për Riorganizim, pasi që ky i fundit mundet gjatë kohë të zgjatë. “Nuk duhet të pritet riorganizimi që të miratohen praktika të këtilla, sipas sistemit të meritokraicsë. Unë do të ju propozoj që t’i ndani këto procedura, të mos lidhen që të mundohemi të bëjmë diçka”, theksoi Maleska.

Ndaj kësaj, ministri theksoi se lidhjen që e bëjnë me riorganizimin nuk është thelbësore dhe se të dy ligjet nuk do të shkojnë në pako. “Nuk ka lidhshmëri, që nëse nuk ka sukses riorganizimi do të bie edhe Ligji për Shërbim të Lartë”.

Ngjarjen e plotë mund ta ndiqni më poshtë:

Ligji pritet që së shpejti të publikohet në ENER dhe pas çka do të hapet debat publik.

Parashikohet që me këtë ligj të formohet një Komision i cili do t’i zgjedhë kandidatët për institucionet e caktuara sipas sistemit të meritokracisë dhe më pas të formojë listë të shkurtër me emrat e kandidatëve më të mirë, të cilët më pas do të intervistohen nga ministri përkatës.

“Është një hap i mirë, sot kemi vetëm një kandidat të një dege të partisë dhe mjafton partia ta jep vetëm një emër dhe emërohet”, tha Aliti.

Ndryshe, reformat në administratë për Maqedoninë e Veriut, përveç që janë nevojë për qytetarët, ata janë edhe kusht për integrimin e vendit në BEMinistria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) është bartësi i procesit reformues, gjegjësisht ajo ka hartuar Strategji për Reformën e Administratës Publike 2018–2022 e cila i përcakton masat të cilat duhen të ndërmerren në pesë vite për të arritur qëllimet e përgjithshme dhe specifike të përcaktuara në secilën prej fushave prioritare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button