Emërimet partiake, kritika serioze për Ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës i cili premtohet prej vitit 2018-të

Qeveria sërish do ta ketë fjalën përfundimtare, rrjedhimisht dhe ndikimin politik për zgjedhjen dhe emërimin e shërbyesve të lartë udhëheqës, gjegjësisht sekretarëve shtetërorë, drejtorëve të organeve në kuadër të ministrive, organizatat administrative dhe drejtorëve të organeve të pavarura të krijuara me ligj të veçantë. Komisioni që duhet t’i zgjedh shërbyesit e lartë udhëheqës do të zgjedhet nga Qeveria, ndërkaq në fund ministri do të duhet të zgjedh mes tre kandidatëve të selektuar nga komisioni.

Kjo mes tjerash u tha në prezantimin dhe debatin e propozim-ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, i cili premtohet prej vitit 2018-të, por assesi të miratohet për shkak të mungesës së vullnetit politik, raporton Portalb.mk.

Ministri i Shoqërisë Informatike, Azir Aliu në fjalimin e tij theksoi se modeli i propozuar bazohet në parimet e racionalitetit, demokracisë dhe transparencës.

“Këto parime janë bazë për ndërtimin e një administrate profesionale dhe politikisht neutrale, ku synimet politike realizohen përmes aktiviteteve të punonjësve të sektorit publik nën udhëheqjen e udhëheqësve të lartë, duke mundësuar kështu efikasitet dhe shfrytëzim racional të burimeve në arritjen e qëllimeve dhe prioriteteve të përcaktuara strategjike të Qeverisë dhe institucioneve tjera relevante nga sektori publik. Domethënë, profesionalizimi i strukturës do të nënkuptonte se do t’i kemi udhëheqësit e lartë më të mirë të cilët mund të zbatojnë politika më të suksesshme, më efikase për qytetarët”, tha Aziri.

Siç theksoi ministri Aziri, sistemi i shërbimit të lartë udhëheqës, i cili propozohet si risi me këtë ligj, duhet të sigurojë arritjen e dy qëllimeve kyçe, edhe atë:

“Udhëheqës të lartë profesionistë, të përzgjedhur përmes një procedure të hapur dhe meritokratike (bazuar në kompetencat e tyre profesionale) dhe vendosja e  marrëdhënieve të besimit dhe përgjegjësisë ndërmjet personave të zgjedhur dhe të emëruar politikisht dhe udhëheqësve të lartë”, tha Aliu.

Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Mitevski theksoi se kjo ide nuk është aq e re, aktivisht punohet prej vitit 2018-të, por si ide për shërbim të lartë udhëheqës është prej vitit 2005.

“Por kuptohet që diçka të realizohet, gjithmonë nevojitem të gjitha elementet të përputhen, të goditet koha, hapësira dhe njerëzit e kështu me radhë, sipas të gjitha gjasave tani ka ardhur gjithçka në vendin e vet dhe mundemi ta finalizojmë këtë që duhet ta bëjmë. Poenta e shërbimit të lartë në fakt është që fillimisht ta mbyllim tregimin për atë se kemi menaxhim politik me administratën. Kjo është porosia kyçe që duam ta dërgojmë me miratimin e këtij ligji, ndërkaq tërë teknikaliteti për zgjedhje, vlerësim e kështu me radhë nuk është diçka e re, nuk shpikim ujë të ngrohtë, praktikisht e ndjekim praktikën e mirë që shumë herët është vendosur me shërbimin shtetëror. Procedura për selektim afërsisht është identike. Ideja jonë është që për më pak se dy muaj ky propozim-tekst të gjendet para deputetëve. Atje duhet të fillojë diskutimi që duhet të rezultojë me miratimin e këtij ligji”, tha Mitevski

Gazetari i Portalb.mk, e pyeti ministrin Aziri nëse do të ketë vullnet politik për ta miratuar këtë ligj, duke e pasur parasysh se ai është ministri i katërt që e promovon këtë ligj, ai theksoi se këtë radhë do të miratohet.

“Ne kemi krijuar shprehi që të kemi qasje inxhinerike ndaj procese kështu që ju garantoj se për herë të katërt do të votohet dhe mbarohet”, tha Aziri.

Vërejtje serioze për propozim-ligjin

Anëtari i Komisionit për Parandalim të Korrupsionit, Nuri Bajrami e kritikoi MSHIA-në se ata nuk i kanë konsultuar për të bërë kontroll antikorrupsioni për ligjin. Ai përmendi disa nene kontestuese të cilat lënë hapësirë për keqpërdorim.

“Si do të ndalohet ndikimi politik ndaj Komisionit për Seleksionim të Bordeve, nëse vetë Qeveria do t’i formojë dhe sërish emërimi kthehet në vetë Qeverinë dhe në organet në përbërje të Qeverisë, pra kjo do të jetë vetëm mënyrë e re e zgjedhjeve dhe emërimeve, ndikimi është i pranishëm si ndikim potencial”, tha Bajrami, duke shtuar se “është jofalënderuese dhe jokorrekte që të mos na kontaktoni kur aq kohë kemi kontribuuar, por duket se jeni ngushtë dhe dëshironi diçka të bëni, pranoj që të bëhet edhe kështu, por keni problem të madh me këtë versioni, sado mund të lavdëroheni politikisht, por nga përvoja jonë profesionale keni problem të madh.

Sekretari i Përgjithshëm Mitevski theksoi se me ligjin, ministrit i mundësohet që të zgjedh prej tre kandidatëve final të cilët do t’i kalojnë filtrat e ligjit, ndërkaq të pranishmit reaguan se zakonisht nuk ka shumë të paraqitur në konkurse dhe për këtë, ministri do ta ketë të lehtë ta emërojë personin e afërt me të.

“Plotësisht në shërbimin shtetëror nuk mund të pritet konkurrencë e madhe, tre të ofruar ndoshta është shumë ekspenzive mu për atë se ashtu del se ndoshta favoriti joformal shumë lehtë mund të hyjë në ato tre dhe kjo mundëson që të mos fitohet ai efekti i departizimit pasi që, nëse është në ato tre, praktikisht i plotëson kompetencat, megjithatë, arsyeja e vërtetë është përkatësia partiake dhe nuk është ndonjë karakteristikë tjetër që sqarohet në teorinë e resurseve njerëzore”, tha Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci Societas Civilis, duke shtuar se në ligj nuk parashihet se si do të sqarohet zgjedhja e udhëheqësit të lartë.

Sekretari i Qeverisë, Mitevski u pajtua se “në fazën e parë sipas të gjitha gjasave ligjet e inercionit do ta bëjnë të veten dhe nuk mund të presim menjëherë të kemi shumë kandidatë, por nuk dua t’i mbyll të gjitha mundësitë se do të befasohemi për të mirë”.

Ai shtoi se megjithatë, ministri duhet të ketë hapësirë të zgjedh pasi që “në fund të ditës, duhet ta zgjedh një person i cili do të duhet ta zbatojë strategjinë dhe programin e qeverisë që ai e përfaqëson”.

Propozim Ligji fillimisht në vitin 2019-të është dorëzuar në Kuvend dhe e ka kaluar leximin e parë, por në vitin 2020, Ministria e Shoqërisë Informatike ka kërkuar që të kthehet, për siç theksojnë, harmonizimin me Ligjin për Zyrtarë Administrativ dhe Ligjin për të Punësuar në Sektor Publik. Ligji tani është i korrigjuar dhe ndodhet sërish në ENER ku për 20 ditë duhet të debatohet dhe më pas të dërgohet në Qeveri dhe Kuvend.

Ndryshe, më 22 prill të këtij viti Portalb.mk në analizën e saj njoftoi se në pesë vitet e fundit, Azir Aliu është ministri i katërt i MSHIA-së, pas Damjan Mançevskit, Jeton Shaqirit dhe Admirim Alitit, prej të cilit pritet që të vazhdojë angazhimin për miratimin e ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës apo për emërimin e drejtorëve sipas kushteve profesionale dhe përkatësisë partiake.

Partitë qeverisëse deri tani nuk kanë treguar vullnet për të miratuar këtë ligj, pasi që u prishet “kulaçi” i cili ndahet gjatë ndarjes së pushtetit. Këtë e konfirmoi në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe Admirim Alitit në tetor të vitit 2022, i cili në kohën kur ishte ministër tha se “pranimi dhe harmonizimi i ligjit me mendimin e të gjithë aktorëve politik shkon ngadalë pasi që partitë bëjnë rezistencë ndaj ligjit sepse, postet e larta udhëheqëse janë gjahu kryesor, të cilin partitë e fitojnë gjatë marrjes së pushtetit”.

Sektori civil, në maj të vitit 2022 ka shprehur skepticizëm për miratimin e Ligjit për Shërbim të Lartë Udhëheqës, pasi që ndër vite i njëjti është premtuar, por nuk është miratuar.