Mickoski nga Nju Jorku: Integrimi në BE është për reforma të institucioneve, jo për ndryshimin e identitetit
“Besojmë në vlerat evropiane dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim, për të gjetur më në fund një rrugëdalje nga kjo situatë e bllokuar në të cilën ndodhemi tani. Me sa duket, duhet të presim, por jo vetëm që presim, por edhe bëjmë diçka. Po ndërtohemi dhe po zhvillohemi”. Këtë e deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në panel-diskutimin në samitin “Concordia” në Nju Jork, i cili zhvillohet paralelisht me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, transmeton Portalb.mk.
Në panelin me zëvendëskryeministren e Gjeorgjisë, Maka Botchorishvili, Mickoski foli për integrimin evropian, marrëdhëniet me SHBA-në, projektet infrastrukturore dhe treguesit ekonomikë të vendit.
Kryeministri theksoi se Maqedonia për më shumë se dy dekada, për shkak të disa arsyeve artificiale, nuk ka arritur të bëhet pjesë e BE-së, pavarësisht të gjitha lëshimeve të bëra – ndryshimit të flamurit, Kushtetutës dhe emrit kushtetues.
Sipas tij, negociatat me BE-në duhet të shërbejnë për reformimin e institucioneve, dhe jo për ndryshimin e identitetit maqedonas dhe zgjidhjen e kërkesave dypalëshe.
Ai përmendi dokumentin joformal të prezantuar nga Franca dhe Gjermania, për të cilin tha se nga Brukseli ka paralajmërime se mund të bëhet politikë zyrtare e BE-së.
“Ndërkohë, ne e kemi harmonizuar plotësisht politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë me BE-në. Legjislacioni ynë është pak a shumë i harmonizuar me atë të BE-së. Ne jo vetëm që presim, por po punojmë për zhvillimin tonë, po e përfundojmë detyrën tonë të shtëpisë, nuk po e humbim kohën, përkundrazi – ky është gurthemeli ynë strategjik dhe do të qëndrojmë në këtë rrugë përpara”, deklaroi kryeministri Mickoski.
Përveç marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, kryeministri Mickoski foli edhe për partneritetin strategjik me SHBA-në dhe deklaroi se dëshiron që vendi të jetë shembull i pranisë amerikane në rajon dhe në Evropë.
Gjatë diskutimit, Mickoski rikujtoi edhe bashkëpunimin në industrinë ushtarake, energjetikë dhe nxjerrjen e mineralit kritik antimon përmes agjencisë amerikane DFC.
Në kuadër të bashkëpunimit me SHBA-në dhe NATO-n, kryeministri Mickoski prezantoi edhe projektet strategjike infrastrukturore në të cilat po punon Maqedonia.
Ai përmendi se është rinovuar naftësjellësi Selanik–Shkup, i cili mundëson furnizim të qëndrueshëm, plotësimin e nevojave të brendshme dhe eksportin në rajon, ndërsa tha se po punohet edhe për një gazsjellës që lidh portin e Aleksandrupolit me Evropën Qendrore.
“Meqë ky gazsjellës është i pavlefshëm nëse nuk e lidhim me interkonektorin drejt veriut, drejt Serbisë, kemi filluar ndërtimin e gazsjellësit drejt Serbisë, me të cilin e lidhim portin e LNG-së në Aleksandrupoli me Evropën Qendrore. Këtë projekt e kemi nisur para disa javësh dhe presim që interkonektori i gazit drejt jugut të fillojë të funksionojë më së voni deri në fund të tremujorit të katërt të vitit 2027, ndërsa interkonektori verior do të fillojë të funksionojë në fund të vitit 2028”, tha Mickoski.
Në fjalimin e tij në samitin “Concordia” në Nju Jork, ku morën pjesë një sërë liderësh dhe sipërmarrësish amerikanë dhe botërorë, kryeministri Mickoski foli edhe për rezultatet pozitive ekonomike të arritura pavarësisht krizave të shumta në Evropë dhe Lindjen e Mesme.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Mickoski: Kurrë më në një proces të ri me Bullgarinë pa parashikueshmëri, BE të jetë e pranishme në bisedimet me Sofjen
- LEXO: Mickoski nga Uashingtoni: Nuk ka tërheqje nga bisedimet me Bullgarinë, patriotët e vërtetë luftojnë dhe fitojnë
- LEXO: Marta Kos: Maqedonia duhet ta përmbushë premtimin dhe t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë
- LEXO: Rokas: Von der Leyen do ta vizitojë rajonin, shpresoj që vizita të jetë vendimtare për integrimin evropian të vendit