Viti 2022, administrata publike në RMV assesi të reformohet, problemet kyçe mbeten ‘militantët partiak’ dhe joefikasiteti

Maqedonia e Veriut vazhdon të bëjë përpjekje për reformimin e administratës, pavarësisht se premtimet e njëjta sillen me vite dhe assesi nuk po realizohen dhe nuk po bëhen të prekshme për qytetarët. Administrata publike gjatë vitit 2022, ashtu sikur gjatë vitit 2021, ishte në qendër të kritikave se reformat nuk po zhvillohen me dinamikën e nevojshme. Administrata ende përballet me partizim të institucioneve dhe mungesë të kuadrit profesional, si dhe me shërbime jo-efikase dhe procedura pjesërisht të digjitalizuara, shkruan Portalb.mk.

Projekti më i madh i cili po premtohet nga tre ministra është Riorganizimi”, i cili duhet të përfundojë në vitin 2024.

Numri i madh i institucioneve paraqet problem kryesor të administratës. Maqedonia ka gjithsej 1.299 institucione shtetërore, numër ky që konsiderohet tepër i lartë dhe që i kushton shumë shtrenjtë arkës së shtetit. Paralajmërimet nga pushteti janë se me “riorganizimin” do të zvogëlohet numri i institucioneve, nëpërmjet shuarjes së institucioneve që nuk kanë të punësuar, por edhe nëpërmjet bashkimit të institucioneve që kanë kompetenca të ngjashme apo të njëjta.

Megjithatë, ky projekt nuk parashikon largim të askujt nga puna. Deklarimet paraprake dhe kritikat e faktorit ndërkombëtar se administrata publike është e stërmbushur me të punësuar janë shuar. Tani flitet vetëm për çështjen e departizimit të administratës publike, premtim të cilin çdo parti e çdo qeveri e deklaron, megjithatë, institucionet vazhdojnë të mbushen me militantë partiak.

Administratë, sportel, foto: Borçe Popovski, "Koletkif.mk"
Administratë, sportel, foto: Borçe Popovski, “Koletkif.mk”

Se është i vështirë departizimi i administratës, më së miri e tregoi ministri Admirim Aliti, i cili gjatë një ngjarje publike deklaroi se “pozicionet e larta udhëheqëse në konstalacionin aktual janë gjahu kryesor, të cilin e fitojnë partitë gjatë marrjes së pushtetit. Për atë, pranimi i ligjit dhe harmonizimi me mendimin e të gjithë aktorëve politik shkon ngadalë”.

Ky ligj parashikon që drejtorët në institucionet përkatëse do të duhet të zgjidhen sipas meritokracisë dhe në mënyrë transparente, në vend që analfabetë të emërohen udhëheqës të institucioneve që kanë rëndësi për funksionimin e shtetit dhe ndikojnë në cilësinë e jetesës së qytetarëve.

Se do të miratohet ky ligj edhe sektori civil shprehu skepticizëm, duke i pasur parasysh interesat partiake për udhëheqje me drejtoritë, pa marrë parasysh kualifikimin e tyre përkatës.

Në ndërkohë, ende nuk janë miratuar as edhe dy ligjet tjera të cilat, gjithashtu parashikojnë reformim të administratës, gjegjësisht Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligji për Zyrtarë Administrativ. Ligjet, premtohen me vite nga qeveria, por që prej nëntorit të vitit 2020 ndodhen në sistemin “ENER” dhe deri më tani janë publikuar disa versione. Sindikata e Administratës kërkoi që fillimisht të miratohet Ligji për Shërbim të Lartë Udhëheqës apo për drejtorë profesional në vend të emërimeve partiake pa kriter.

Këtë vit MSHIA hoqi dorë nga iniciativa, të cilën e filloi ministri Damjan Mançevski për transferimin e të punësuarve nga sektori publik në atë privat. Paraprakisht MSHIA hoqi dorë edhe nga dokumentomatet.

Në ndërkohë, po përgatitet edhe Strategjia për Reformën e Administratës Publike 2022-2030 e cila duhet të miratohet gjatë janarit.

Sa i përket transformimit digjital, Maqedonia e Veriut ka rrugë të gjatë përpara saj. Ndonëse vendi ka bërë reforma në këtë drejtim, megjithatë ka ende shumë punë për t’u bërë. Kjo është konstatuar në Raportin e fundit për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian. Raporti thekson mangësitë ku vendi duhet të punojë si dhe pikat ku vendi ka bërë përparim.

Edhe hulumtimet e Portalb.mk kanë dëshmuar dhe treguar se rezultatet nga raportet, analizat, apo anketat e institucioneve ndërkombëtare apo të brendshme, por edhe OJQ-ve nuk janë vetëm kritika në letër, por problem serioz në përditshmërinë e qytetarëve që enden sporteleve për një dokument të caktuar.

Së fundmi, treguam se institucionet në RMV, shumë pak komunikojnë mes vete nëpërmjet Platformës së Interoperabilitetit e cila parashikon këmbimin e të dhënave, nëpërmjet sistemeve elektronike me qëllim të ofrohen shërbime në mënyrë më efikase dhe të shpejtë. Të dhënat që ka siguruar Portalb.mk, tregojnë se në nivel të përgjithshëm të gjitha institucionet e Platformës kanë rënie të kryerjes së transaksioneve, në vend që ky numër të jetë më i lartë.

Digjitalizimi i Librave Amë, i cili është paralajmëruar ndër vite ende nuk ka mbaruar. Sipas paralajmërimeve, deri në fund të vitit 2023 librat amë duhet të digjitalizohen tërësisht.

Me riorganizimin, duhet që të formohen edhe Agjencia për Digjitalizim dhe Agjencia për Siguri Kibernetike. Të dy agjencitë janë me rëndësi të madhe, si për lehtësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, ashtu edhe për sigurinë e të dhënave në këtë periudhë kur gjithnjë e më shumë vendi ynë është cak i sulmeve hibride. Por, edhe këtë dy agjenci nuk dihet se kur do të themelohen.

Gjatë vitit 2023, duhet që të vazhdojë me procesin e riorganizimit, digjitalizimit si dhe të miratohen ligjet e paralajmëruara për reforma.

Hulumtime të Portalbit:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button