RMV, Antikorrupsioni hapi lëndë për emërimin e Bojan Hristovskit si drejtor i ASK-së, morën ankesë anonime

Më pak se një javë pas emërimit të Bojan Hristovskit si drejtor i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) tashmë ka pranuar një ankesë anonime që sfidon ligjshmërinë e emërimit të tij, transmeton Portalb.mk.

Kryetarja e Antikorrupsionit, Tatjana Dimitrovska, në një prononcim për “360 Gradë” ka konfirmuar se një ankesë e tillë ka arritur tek ata dhe se në bazë të saj është ngritur lëndë.

“Nga burime anonime ka ardhur një ankesë, e cila i referohet akuzave për emërim të paligjshëm të drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Pas pranimit të ankesës është parashtruar lëndë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe pas konstatimit të gjendjes faktike vendimin do ta shpallim publikisht në seancën e Komisionit”, tha Dimitrovska.

Në lidhje me përmbajtjen e ankesës, kryetarja e KShPK-së shkurtimisht është përgjigjur se bëhet fjalë për pretendime për mos respektim të kushteve të kërkuara me Ligjin për emërimin e drejtorit të ASK-së.

Emërimi i Bojan Hristovskit për drejtor të institucionit përgjegjës për siguri dhe kundërzbulim shkaktoi pikëpyetje dhe reagime të shumta në opinion. Një nga më kryesoret i referohet faktit se deri vonë ishte anëtar i VMRO-DPMNE-së dhe kryetar i Komitetit të qytetit të partisë në Shkup. Qeveria, por edhe vetë Hristovski, deklaroi se karrierën e tij partiake-politike e ka përfunduar me tërheqjen nga anëtarësimi në parti në dhjetor të vitit të kaluar dhe se në rastin e tij nuk është shkelur Ligji për ASK.

Megjithatë, postimet e tij në rrjetet sociale lënë gjurmë të afërsisë së tij me VMRO-DPMNE-në dhe angazhimit të tij të mëparshëm politik në mbështetje të partisë.

Veç kësaj, emërimi i tij si drejtor i ASK-së hasi në kritika të ashpra nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë në opozitë. Nga aty, përveç profilizimit ideologjiko-partiak të Hristovskit, vënë në dyshim edhe kushtet tjera që i kërkon Ligji për emërimin e drejtorit të Agjencisë.

Partia e konsideron ende të hapur pyetjen nëse drejtori i ri i ASK-së ka pesë vite përvojë në poste drejtuese sipas kërkesave ligjore, duke akuzuar se në biografinë e tij nuk ka data të sakta për përvojën drejtuese nga viti 2012 deri në vitin 2017. Nga atje thonë se nuk ka asnjë konfirmim nëse personi i parë në ASK ka dokument real për njohjen adekuate të gjuhës angleze, pasi siç thonë ata, dokumenti që ka dorëzuar është nga një shkollë në Plovdiv të Bullgarisë, ku nuk ka fare qendër testimi TOEFL.

Një tjetër çështje, e cila ngre dilema në opinion, është posedimi i certifikatave të nevojshme të sigurisë për trajtimin e dokumenteve të karakterit konfidencial.

“Emërimi i Bojan Hristovskit si drejtor i ri i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK), kryeministri Hristijan Mickoski dhe Qeveria e bënë në mënyrë diktatoriale, duke rrëmbyer një nga institucionet më serioze në fushën e sigurisë”, tha dje Venko Filipçe duke komentuar emërimin e drejtorit të ri të ASK-së.

Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët e “VLEN”, Arben Taravari, në intervistën për “360 Gradë” të transmetuar mbrëmë në MRT 1, në lidhje me emërimin e Hristovskit, ka thënë se nuk është konsultuar dhe se përzgjedhja i drejtorit të ASK-së i takon kryeministrit Hristijan Mickoski.

Taravari thotë se kreu i ASK-së nuk guxon të jetë partiak, ndërsa për Hristovskin, siç tha ai, për momentin nuk ka informacion të mjaftueshëm.

Hristovski pasoi Zharko Milloshevskin si drejtor i ASK-së, të cilit nuk i mbaroi mandati, por u shkarkua nga posti të cilin e mbajti për më pak se dy vjet, ndonëse mandati i drejtorit, sipas ligjit, është katër vjet.

Qeveria deri më tani nuk ka dalë me ndonjë informacion apo njoftim për arsyet e shkarkimit të Milloshevskit.