Për shkak mesazheve kërcënuese, shkollat në Tetovë e ndalën mësimin
Alarme të rrejshme për bomba kanë tronditur sërish shkollat e mesme në Tetovë. Mëngjesin e sotëm, shënjestër e këtyre kërcënimeve ishin Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Nikolla Shtejn” dhe Shkolla e Mesme Ekonomike “8 Shtatori”, raporton TV21. Nxënësit u evakuuan nga oborret e shkollave pa filluar mirë procesi mësimor, ndërsa pjesëtarët e Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës kryen kontrolle të hollësishme antiterroriste. Në shkollën e mjekësisë, mesazhi kërcënues kishte arritur në adresën zyrtare elektronike në orët e hershme të mëngjesit.
“Diku rreth orës shtatë e lajmëruam në polici se në emailin zyrtar ka ardhur alarm për bombë. Nxënësit i pritëm para shkollës dhe nuk i lamë të futen brenda, i kthyem në shtëpi, derisa policia na dha me shkrim se është në rregull dhe mësimi mund të vazhdojë, por mësimi do vazhdojë pasdite. Gjithnjë alarmi na vjen në gjuhën maqedonase dhe na vjen nga emaile që nuk i kemi të njohur”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Ngjashëm ka ndodhur edhe në shkollën ekonomike, ku mesazhet kërcënuese kishin arritur gjatë natës në adresa personale dhe zyrtare.
“Emaili erdhi në ora një të natës në emailin tim personal dhe të sekretareshës. Po ashtu edhe tek emaili i shkollës që e kemi lajmëruar që nuk është në funksion. Pas kontrollit, policia na dha leje që mund të vazhdojmë mësimin”, tha Hava Hasani, drejtoreshë e SHM “8 SHTATORI”.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë konfirmojnë se pas kontrolleve të kryera të dyja alarmet kanë rezultuar të rreme. Policia iu bën thirrje prindërve për kujdes dhe kontroll më të madh ndaj fëmijëve të tyre, meqenëse dënimet ligjore janë të rrepta.
“Të dyja rastet kanë rezultuar se janë të rreme, por apeloj qytetarët që duke pasur parasysh eksperiencën e vitit paraprak ku patëm qindra alarme për bomba dhe dhjetëra persona të arrestuar ku pjesa më e madhe ishin të mitur, ligji në këto raste për të miturit parasheh masa pedagogjike por barrën më të madhe ligjore e mbajnë prindërit. Apeloj te prindërit që të kontrollojnë mjetet elektronike të fëmijëve me të cilat komunikojnë, telefona, laptopë apo tableta dhe të kenë nën kontroll se çfarë bëjnë dhe me kënd komunikojnë fëmijët e tyre”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë
Rastet e sotme rikthejnë në vëmendje valën e alarmeve të rrejshme të vitit të kaluar në Tetovë, ku shpesh cak ishin nxënësit e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”. Atëherë u ndaluan disa persona, shumica prej të cilëve ishin adoleshentë.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se janë privuar nga liria pesë persona, nga të cilët katër janë të mitur, për lajmërimet e rreme për bomba në shkollat e Tetovës.
Kujtojmë se së fundmi policia arrestoi një 18 vjeçar si të dyshuar për alarmet e rreme të bombave, i cili ishte nxënës i Gjimnazit ‘Kiril Pejçinoviq’.
Nga viti 2025 e këndej janë regjistruar më shumë se 320 raste të paraqitjeve të rreme për bomba. Kërcënime nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht nga viti 2022 e këndej, por që rezultonin të rrejshme. Kërcënimet me bomba kanë qenë gjithashtu të përhapura edhe në rajon.
- LEXO: U arrestuan pesë persona, assesi të ndalen alarmet e rrejshme për bomba në shkollat e Tetovës (Video)
- LEXO: Policia e arrestoi një 18 vjeçar nga Pallatica e Tetovës, i dyshuar për dërgimin e alarmeve të rreme për bomba në institucionet arsimore
- LEXO: Panik në shkolla: Qindra kërcënime të rreme me bomba, MPB-ja nuk e di ende kush fshihet pas shumicës së tyre
- LEXO: Përsëri alarme të rreme për bomba në shkollat e Tetovës: Frikë, panik dhe humbje mësimi
- LEXO: Përsëri alarm bombash në shkollat e Tetovës dhe Shkupit, MPB-ja assesi t’i identifikojë kërcënuesit
- LEXO: Ministria e Brendshme nuk i ka zbardhur ende alarmet e rreme për bomba në Gjimnazin e Tetovës