Panik në shkolla: Qindra kërcënime të rreme me bomba, MPB-ja nuk e di ende kush fshihet pas shumicës së tyre

Derisa nxënësit dhe mësimdhënësit në Tetovë por edhe qytetet tjera janë në frikë dhe panik nga kërcënimet e rreme të bombave, Ministria e Punëve të Brendshme e ka të vështirë t’i identifikojë kërcënuesit, shkruan Portalb.mk.

Dje dhe pardje, si në shumë raste tjera shkollat në Tetovë pranuan njoftime për kërcënime me bomba, të cilat rezultuan të rreme.

Pavarësisht se Ministria e Punëve të Brendshme thotë se nga Drejtoria për Krim Kibernetik, në bashkëpunim me sektorin për terrorizëm dhe përmes sektorit për bashkëpunim ndërkombëtar policor, po merren masa dhe po zhvillohet hetim për të përcaktuar se kush është pronari i postës elektronike, këto kërcënime mbeten pa u zbardhur dhe të njëjtat përsëriten.

Edhe pse deri tani të gjitha sinjalizimet janë konfirmuar si të rreme, mënyra e veprimit dhe shtrirja e tyre kanë për qëllim krijimin e ndjesisë së pasigurisë dhe frikës, gjë që përbën veprën penale terrorizëm.

Kërcënimet vijnë kryesisht nga adresa VPN. Duhet theksuar se gjatë këtyre kërcënimeve hibride të organizuara, shpesh përfshihen edhe persona të tjerë, për interesa personale, padije, kureshtje apo motive të tjera, të cilët përfshihen në këtë sistem.

Ministria e Brendshme thekson se po merr masa dhe aktivitete të përshtatshme për zbulimin e kësaj dhe të veprave të tjera penale, dhe publiku do të njoftohet në mënyrë të duhur.

Pas marrjes së masave dhe aktiviteteve përkatëse, janë ngritur gjithsej gjashtë kallëzime penale ndaj shtatë personave (katër prej tyre të mitur) për kryerjen e gjashtë veprave penale “terrorizëm”

“Vetë hetimet janë jashtëzakonisht komplekse, të lidhura me shkëmbim ndërkombëtar informacioni dhe mbështetje, si dhe me kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare. Në këtë proces janë përfshirë të gjitha institucionet në vend nga sektori i sigurisë, si dhe vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, Interpol, Europol, të gjitha organizatat partnere, dhe me të gjitha kapacitetet në dispozicion po merren masa për zbardhjen e rasteve”, thanë nga MPB për Portalb.

Nga viti 2025 e këndej janë regjistruar më shumë se 320 raste të paraqitjeve të rreme për bomba. Kërcënime nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht nga viti 2022 e këndej, por që rezultonin të rrejshme.

Kërcënimet me bomba kanë qenë gjithashtu të përhapura edhe në rajon.