“Për rroga luftojmë, nuk lutemi”, ishte mesazhi i protestuesve në Shkup (VIDEO)
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot në Shkup e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Punës me protestë. Ata nën sloganin “Për rroga luftojmë, nuk lutemi” kërkuan kushte dhe rroga më të mira, transmeton Portalb.mk.
“për fat të keq, 260 mijë punëtorë jetojnë me një pagë më pak se 600 euro, dhe vetëm disa mijëra njerëz dolën në protestë më 1 maj”, tha kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov, duke shtuar se “një numër i madh punëtorësh po vdesin në vendet e tyre të punës sot. Ata nisen për në punë në mëngjes dhe nuk kthehen në mbrëmje. Dhe askush nuk po bën asgjë për t’i mbrojtur ata”.
Ashtu si ishte planifikuar, protesta filloi nga objekti i LSM-së, ndërsa mbaroi para objektit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Kërkesa kryesore e sindikalistëve është rroga minimale të jetë 600 euro.
Policia e RMV-së ndërkohë ka riorganizuar komunikacionin në Shkup, duke bllokuar disa rrugë të marshit protestues.
Ndryshe, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) më 14 mars në Shkup mbajti protestë të punëtorëve me kërkesë për rritje të pagës minimale në 600 euro dhe rritje lineare të të gjithë pagave tjera për më së paku 6.000 denarë.
LSM në shkurt poashtu mbajti disa protesta duke bllokuar institucionet kyçe. Më 17 shkurt LSM-ja zhvilloi bllokadë para Qeverisë, ndërsa pas protestës së madhe më 28 janar, e cila kërkoi rritjen e pagave minimale dhe të gjitha pagave të tjera në vend, LSM mbajti bllokada të Parlamentit dhe Odës Ekonomike. LSM e bazon kërkesën e saj për rritje të pagave në rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e vlerës së shportës së konsumatorit të sindikatës.
- LEXO: Protestë e LSM-së në Shkup me kërkesë për pagë minimale prej 600 eurosh (VIDEO)
- LEXO: Trendafilov për protestën e nesërme: Më shumë punëtorë në rrugë, mundësi më të mëdha për paga më të larta
- LEXO: LSM bëri thirrje për protesta masive më 14 mars: “Paga nuk është dhuratë, por rezultat i punës së punëtorëve”