Për parandalimin e korrupsionit në pikat kufitare, Maqedonia, Kosova, Shqipëria e Mali i Zi themeluan një Forum

Forumi Ballkanik për Mbikëqyrje Policore do të themelohet pasi kjo nismë u miratua nga forcat policore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, me qëllim parandalimin e korrupsionit në pikat kufitare, transmeton Portalb.mk.

“Nënshkrimi i Deklaratës për themelimin e Forumit Ballkanik për Mbikqyrje Policore doli si konkluzion i Konferencës rajonale për parandalimin e korrupsionit në pikëkalimet kufitare, e cila u mbajt në Prizren- R. e Kosovës, në harkun kohor nga 2 deri më 5 maj të këtij viti, nën patronazhin e ICITAP-it”, raportoi Ministria për Punë të Brendshme.

Në nënshkrimin e kësaj deklarate Maqedonia e Veriut u përfaqësua nga Igor Arsovski, ndihmësi i ministrit, shoqëruar nga kryeshefi i Departamentit për Kontroll të Brendshëm, Sabri Kurtishi dhe inspektori kryesor, Irfan Bexheti.

”Në ceremoninë e sotme, delegacioni i MPB-së edhe një herë e shprehu përkushtimin e fuqishëm për shkëmbim të ideve, strategjive dhe standardeve të larta profesionale ndërmjet vendeve të rajonit në asgjësimin e formave të brendshme të sjelljeve korruptive të nëpunësve policorë, përmes përforcimit të kapaciteteve të kontrollit të brendshëm, me qëllim të arritjes të rezultateve sa më të mira në luftë kundër korrupsionit në rajon”, raportojnë nga MPB-ja në Maqedoninë e Veriut.