Për lartësimin dhe fundosjen e shefave të politikës

Nuk ka popull në rruzullin tokësor pa cene, pa të meta e pa zakone të këqija. Kjo vlen edhe për ne shqiptarët, që, si gjithë të tjerët, përveç disa virtyteve, dallohemi edhe me disa huqe unikate. Ndër to bien në sy elozhet, këngët dhe fjalimet patetike, me të cilat festojmë ngjitjen në fron të një personi të lartësuar kot së koti dhe zbritjen e tij të mëpastajme nga sefaja me ulërima poshtëruese. Kjo ndodh për shkak të paaftësisë kronike për të gjykuar që më parë me arsye të shëndosha mundësitë e atyre, në ndërgjegjen dhe duart e të cilëve lëmë të ardhmen apo fundosjen tonë.

Këtë ves të keq kemi pasur rastin ta shërojmë që para 34 vitesh, po nuk e kemi bërë, sepse jemi tutsa, sepse jemi shoqëri pa mendim kritik, sepse jemi iftiaçlinjë të gjithçkaje dhe adhurues të përsëritjes që përsëritet përsëri. Shprehinë në fjalë e kemi fituar nga përsëritja e vijueshmë e një veprimi të cilin e ka portretuar më së miri Fan Noli, ish kryeministri shqiptar, që e ndjeu në lëkurën e tij ngjitjen në fron me hosanna-të e një çlironjësi dhe gremisjen në humnerë me allalla-të  e një katili. Brenda një periudhe 6 mujore, Ai shijoi mjaltin dhe pelinin që u shtrojnë votuesit prijësve të tyre, pa e ditur përse i ngrenë në qiell dhe përse i zhytin në llofkë; pa e kuptuar përse njëherë u këndojnë këngë solemne me ndjenja të forta adhurimi (Kryetrim, që lëfton, triumfon për atdhe,/ Shpëtimtar, kryemjek, kryeshenjt, kryefe,/ Pasuri, dhe liri, dhe fuqi ti na dhe, / Lum e lum, Galile: Hosarma, hosanna!) dhe përse pastaj i mallkojnë rëndë si djaj (Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,/ Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe,/ Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,/ Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!).

Mjerisht, vesin e keq të adhurimit dhe urrejtjes kot së koti e kanë ushqyer dhe e ushqejnë edhe sot e gjithë ditën mediet e verdha, të drejtuara nga matrapazë analfabetë, të cilët mbajnë anën e një partie, të një lideri a të një renegati, që ndërron bindjet në varësi të honorareve që e kanë shndërruar në qen besnik.

Shembuj tipik se si funksionon kjo zeje palaçosh gjejmë me shumicë edhe në mediet e kohës së Nolit dhe antipodit të tij Ahmet Zogut, të cilin, pasi u vetëshpall mbret i Shqipërisë, mediet e oborrit e ngritën në rang profetësh. Të shijojmë disa lëvdime të tepruara, që nuk duhet të jenë pjesë e diskursit të medieve të sh. XXI:

“Diana”: Sikundër stërgjyshi i Tij kreshnik, si Fatosi i Krujës heroike, i  Riu i  Matit, Ay që sot nëndë vjet të shkuara, me vullnet të popullit, në mes të brohorive dhe duartrokitjeve frenetike, madhështor zuri vend në Fronin e Kastriotit, u hodh në fushë të luftës, pa marrë parasyshë vdekjen dhe kudo thurri kurora lavdije dhe trimërije…

“Shpirti shqiptar”: I dalë nga shpirti i popullit, mbreti Zog është kurdoherë midis popullit. Ay ka vuajtur për popullin e bashkë me popullin. Ay nuk ndahet kurrë nga populli. Ay e shëkon forcën e bashkimit kombëtar, sigurimin e së pritmes kombëtare, përparimin e Atdheut, të mishëruar në personin e një Fatosi…

“Shekulli i ri”: Shiptarë, Nalt Flamurët! Ngrifni kryenalt, sot, në këtë ditë historike, flamurin e shenjtë me shkabonjën dykrenore që Skënderbeu na e ka dhuruar nga kështjellat e famshme të Krujës kreshnike dhe, të grumbulluem rreth tij, le të përshëndetim me urimet tona ma të nxehta, Mbretin e ri, që sot  me dëshirën e popullit Sovran, vendoset në Fronin e Herojt legjendar.

“Gazeta e Korçës”: Nënë udhëheqjen e Mbretit të tij Gjënial, Shqipëtari i ka hyrë punës  së ndërtimit. Krejt Kombi ndodhet i bashkuar si një trup e si një shpirt rreth Kurorës, gati të zbatojë çdo porosi e çdo urdhër të Shefit, gati të marrë udhën që do t’i tregojë Ay drejt përparimit dhe lartësimit kombëtar…

Kaq për sot. Elozhet për mbretërit dhe shefat tjerë që na e zbukurojnë jetën dhe lartësojnë kombin i gjeni kollaj në mediet e verdha të shkretishteve tona.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.