Pensionistët përsëri protestë në Shkup, përsëritën kërkesën e tyre për pensione më të larta

Pensionistët nga të gjitha anët e vendit u mblodhën sot në protestën e tretë të madhe në Shkup, duke kërkuar dëgjim nga autoritetet lidhur me kërkesën e tyre për pensione më të larta. Rritje lineare e pensioneve për 5.000 denarë dhe pension minimal prej 18.000 denarë janë dy kërkesat kryesore që ata i bënë nga protesta e sotme, transmeton Portalb.mk.

Marshi protestues filloi nga Ambasada e ShBA-së dhe përfundoi para ndërtesës së Qeverisë.

Pensionistët thanë se edhe pas tre muajsh protestë, ende nuk kanë asnjë përgjigje nga Qeveria dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale lidhur me kërkesat e tyre.

“Nëse plotësohen dy kërkesat e para për rritje lineare dhe pension minimal, ne do të jemi të kënaqur dhe do të ndalojmë protestat, por nëse nuk gjejmë mirëkuptim nga qeveria do të vazhdojmë më radikalisht. Kjo protestë e tretë është paqësore dhe pa asnjë problem, por më vonë do të formohet trupi koordinues nga të gjitha qytetet dhe do të merremi vesh se çfarë do të bëjmë”, tha në protestën e sotme kryetari i Bordit të iniciativës së pensionistëve, Dragan Ugrinovski, raporton 360 Stepeni.

Ugrinovski thotë se kërkesë për pranim i është dorëzuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kreut të shtetit Stevo Pendarovski, por se asnjëri prej tyre nuk ka dhënë përgjigje për takim të mundshëm.

“Është sikur të mos kemi president. Presidenti Stevo Pendarovski në këta tre muaj nuk e ka përmendur fjalën pensionist, edhe pse prej 5 tetorit kemi bërë kërkesë për pranim për t’i treguar kalvarin tonë, që si president të njihet me problemet tona dhe të intervenojë në qeveri, por edhe ai u bë memec ndaj kërkesave tona”, shton Ugrinovski.

Protesta e sotme e pensionistëve është protesta e tretë e madhe që ata kanë bërë në kryeqytet pas periudhës së kaluar që ata protestuan në qytetet dhe vendbanimet e tyre duke shprehur pakënaqësi për rritjen në përqindje të pensioneve.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, pas protestës së madhe të mbajtur më 14 gusht në Shkup, vlerësoi se protestat e pensionistëve nuk kanë qenë spontane dhe të vetëorganizuara, por se prapa tyre qëndron VMRO-DPMNE opozitare për të krijuar kaos në shoqëri.

Më herët, në një takim me pensionistët, ministrja u shpreh se kërkesat e tyre janë antikushtetuese dhe të padrejta.

LEXO: Pensionistët në protestë: S’mund të mbijetojmë me 13.000 denarë, shporta konsumatore ka arritur në 50.000 denarë