RMV, pensionistët në protestë, kërkojnë rritjen e pensionit minimal për 45% nga paga mesatare

Pensionistët protestojnë sërish sot. Ata kërkojnë rritje lineare të pensioneve për 3500 denarë, ndërsa pensionin minimal të jetë 45 për qind nga paga mesatare, transmeton Portalb.mk.

“Nivelizim i pensioneve është gjëja e parë që duhet bërë, që pjesa tjetër e pensioneve më pas të përshtatet sipas rritjes së pensionit minimal”,  reagojnë pensionistët.

Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave dhe SPIM për muajin qershor tregojnë se pensioni minimal ka qenë 34 për qind, gjegjësisht 12.493 denarë nga paga mesatare neto e paguar, ndërsa nëse do të ishte 45 për qind do të ishte 16.437 denarë.

Ndërsa për pensionin mesatar thonë se duhet të jetë 60% e pagës mesatare neto.

“Pensioni mesatar për momentin është 19.106 denarë, sugjerojmë që të jetë 60% nga paga mesatare e paguar neto, gjegjësisht të jetë 21.916 denarë”, thonë nga sindikata e pensionistëve.

Protestat, siç thonë ata, kanë të bëjnë me një jetë dinjitoze dhe standard më të mirë.

“Ne besojmë se ndryshimi i nenit 37 të ligjit SPI, sipas të cilit rregullimi i pensioneve bëhet në bazë të lëvizjes së indeksit të kostos së jetesës në masën 50% dhe rritjes së pagës mesatare të paguar për të gjithë punonjësit në masën 50%, është një bazë e mirë për rregullimin e mëtejshëm të pensioneve”, thonë nga sindikata.

Protesta që po zhvillohet sot është paralajmëruar në fillim të gushtit. Atëkohë pensionistët thanë se protesta e përgjithshme do të jetë më 20 shtator, ditën e pensionistëve. Ata shprehën shpresën se do të arrijnë që qeveria të vendosë një pension minimal në vend, me synimin për një standard më të mirë për të gjithë pensionistët.