Pensionistët në protestë: S’mund të mbijetojmë me 13.000 denarë, shporta konsumatore ka arritur në 50.000 denarë

Pensionistët e Tetovës vijuan protestën edhe sot, ndonëse binte shi ata përsëri bllokuan hyrjen kryesore për në qytet tek ish fabrika e Monopolit. Ata kërkojnë nga autoritetet të realizojnë kërkesën e tyre që është rritje e pensioneve në formë lineare për 5 mijë denarë si dhe pensioni minimal të jetë 20 mijë denarë. Kritikuan pushtetin se nuk i merr në dorë pensionistët, raporton Portalb.mk.

Ne kërkojmë 3500 deri në 5000 denarë rritje lineare, për të gjithë pensionistët njësoj. Edhe kërkojmë pensioni minimal të jetë 20.000. Kjo është kërkesa kryesore të cilën e theksoi kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Tetovës, Silver Memeti.

“Nuk ka pas reagim pas protestave, ajo jo është edhe dhimbja më e madhe e jona, mos ketë asnjëfarë reagimi pas protestave. Ne do vazhdojmë deri në realizimin e kërkesave tona. Nuk janë kërkesa të cilat nuk mund të realizohen. Mund të realizohen. Ka shumë, mbi 97.000 pensionistë janë me pensione ndër 13.000 denarë. Paramendoni shporta harxhuese e një familje katër anëtarëshe është 48.000 ose 50.000 denarë. Si do të dale në krye me këto shtrenjtime që bëhen çdo ditë, mbi inflacionin? Ato a mendojnë a nuk mendojnë nuk e di”, tha Memeti.

“Fillimisht dua ti përshëndes edhe ministren edhe kryeministrin dhe presidentin e vendit, të mendojnë pak dhe të dalin që ta shohin këtë popull, t’i shohin pensionistët. Para kanë, le të mos na gënjejnë, le të ulen dhe t’i zgjedhin problemet e pensionistëve. Me siguri dëgjimin e kanë shumë të dobët, por ne do të vazhdojmë edhe më tej, do të shkojmë edhe në Shkup. Të gjithë Shkupin do ta bllokojmë, vetëm po presim ditën dhe datën. Do shohim nëse, se na premtojnë se deri në fund të muajit do të zgjidhet problemi, të shohim sa do të zgjidhet”, tha një pensioniste.

“Kryeministri Kovaçeski thotë se këtu kemi çmimet më të ulëta në Evropë. Po, kemi, por a e dini ku? Në bufenë e Qeverisë. Aty hanë mëngjes, drekë dhe darkë për 250 denarë. Për ata, jo për ne. Kështu që, Kovaçevski ta shikojë këtë popull, që po qëndron në rrugë, i uritur, i mjerë, a e meritojmë ne këtë? Prandaj kërkojmë dorëheqjen e Stankës dhe Trençevskës. Kërkojmë dorëheqje”, tha një tjetër pensioniste.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale javën e kaluar për Portalb.mk deklaroi se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshueshëm se, nuk do të ndërmarrin asnjë hap që të do rrezikojë stabilitetin e Fondit Pensional dhe ardhmërinë e pensionistëve. Por, nga atje, paralajmëruan pako të masave për kategoritë e rrezikuara.

“Me kërkesë të pensionistëve, pas ngritjes së çështjes për nevojën e miratimit të Ligjit për pension minimal, u formua grup punues për shqyrtimin e propozimeve për çështjen e pensionit më të ulët në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Grupi punues gjithashtu ka për detyrë të krijojë propozim për pako të masave për ndihmë dhe mbështetje të pensionistëve. Javën e kaluar grupi punues ka dorëzuar raportin e parë me propozim të masave, i cili u preznatua në seancën e fundit të Qeverisë. Pasi t’i shqyrtojë, Qeveria e RMV-së do të dalë me masa konkrete për mbështetje të kategorive të rrezikuara të pensionistëve”, deklaruan nga Ministria.

Sa i përket çështjes së definimit ligjor të pensionit minimal, grupi punues do të vazhdojë të punojë në gjetjen e një zgjidhje të re ligjore për pension minimal, me ndryshime të ligjit aktual apo ligj të ri të posaçëm, me çka grupi punues duhet të japë draft propozim të parë deri në dhjetor 2023.

Pensionistët protestojnë prej në shtator, ndërkaq në Maqedoninë e Veriut  jetojnë rreth 330.000 pensionistë, shumica prej tyre, mbi 97.000, kanë pensione deri në 13.000 denarë.

LEXO: Protesta e pensionistëve, MPPS paralajmëroi pako të masave për mbështetje të pensionistëve (Video)