Pendarovski priti një delegacion nga Këshilli i Evropës për vëzhgimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare

Presidenti Stevo Pendarovski sot priti delegacionin e komisionit ad-hok të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për vëzhgimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët janë në mision parazgjedhor në vend, transmeton Portalb.mk.

Në takim u bisedua për rrjedhën e përgatitjeve për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Delegacioni nga komisioni ad-hok i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës informoi për objektivat e misionit të tyre parazgjedhor, si dhe për aktivitetet, pritshmëritë dhe rolin e tyre në procesin zgjedhor.

Në takim u shpreh pritshmëria që zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare të jenë të drejta, demokratike dhe në një atmosferë paqësore, në përputhje të plotë me legjislacionin kombëtar dhe detyrimet dhe standardet ndërkombëtare.

Presidenti Pendarovski theksoi se si vend anëtar i NATO-s dhe shtet që pretendon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, është e nevojshme që në zgjedhjet e ardhshme të tregohet profesionalizëm maksimal nga institucionet shtetërore dhe korrektësi dhe pjekuri politike nga ana e të gjithë subjekteve politike të përfshira në procesin zgjedhor.

Kujtojmë se zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) me 21 mars hapi misionin vëzhgues në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill dhe zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 8 maj, i cili po zbatohet me ftesë të autoriteteve të vendit.

Zgjedhjet e fundit që ata vëzhguan ishin zgjedhjet lokale të vitit 2021.