KSHZ-ja mori vendim për publikimin e përshkrimeve të vendvotimeve: Procesi zgjedhor në Bërvenicë ecën pa pengesa

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, djembajti seancën e 15-të në të cilën u shqyrtuan dhe miratuan dy pika. Pas miratimit të procesverbalit nga seanca e 14-të, anëtarët e KSHZ-së njëzëri e miratuan vendimin për publikimin e përshkrimeve të vendvotimeve, për Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës Bërvenicë, transmeton Portalb.mk.

Publikimi i përshkrimeve të vendvotimeve është në kuadër të procedurës për përcaktimin, ndryshimin dhe shpalljen e vendvotimeve në përputhje me të cilën KSHZ-ja, bazuar në përshkrimet profesionale-teknike të vendvotimeve miraton aktvendim me të cilin do ta përcaktojë numrin dhe përshkrimin për secilin vendvotim veçmas, me përcaktim të vendbanimeve, përkatësisht rrugëve dhe numrave të shtëpive që përfshihen në vendvotimet dhe objektin e votimit.

Përshkrimi profesional-teknik i vendvotimeve përmban: komunën, numrin e njësisë zgjedhore, numrin e vendvotimit, vendbanimin dhe lokacionin e vendvotimit (objektin dhe adresën e objektit në të cilin do të zhvillohet votimi, lagjen), nëse vendvotimi është krejtësisht vend i populluar, rruga (emri), indikator të numrit të shtëpisë (nga numër – deri numër).

Në përputhje me Kodin Zgjedhor, ndryshimi i përshrkimeve të vendvotimeve mund të bëhet më së voni më 17.09.2026 si datë e përcaktuar në Kalendarin e afateve për zhvillimin e Zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës Bërvenicë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahen më 18 tetor, zgjedhjet mbahen pasi në qershor ndërroi jetë kryetari i komunës, Jovica Ilievski, i cili ishte nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Fushata zgjedhore do të fillojë më 21 shtator dhe do të zgjasë deri më 16 tetor.

Në zgjedhjet e rregullta lokale të vitit të kaluar, Komuna e Bërvenicës ishte një nga komunat më të diskutuara, ndërsa gara mori më tepër karakter etnik, ku përplasje përveç opozitës dhe pozitës, pati edhe midis partnerëve në qeveri VMRO-VLEN.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në 10 fshatrat e Komunës së Bërvenicës ka 13,645 banorë, nga të cilët 7,377 janë shqiptarë, 5,715 maqedonas dhe 1 rom.