Pendarovski pret që ndryshimet kushtetuese të kalojnë deri në nëntor: Nuk dua të mendoj se do të bllokohemi

Presidenti Stevo Pendarovski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit në kuadër të Samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Procesit për bashkëpunim në Evropën Juglindore, që po mbahet në Podgoricë, deklaroi se shpreson që deri në nëntor , kur duhet të përfundojë dhe procesi iskriningut me BE-në, do të bëhen ndryshimet kushtetuese, për të shmangur bllokimin e vetë shtetit për të hyrë në BE, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Unë as nuk do të doja të mendoja për opsionin e bllokimit të vetvetes kur kemi miratuar tashmë kornizën e negociatave evropiane vitin e kaluar, gjëja më logjike është ta përfundojmë atë punë dhe të vazhdojmë me konferencën e dytë të anëtarësimit në BE”, ka thënë Pendarovski.

Në përgjigje, presidenti kujtoi se vendi ka pranuar kornizën evropiane të negociatave vitin e kaluar dhe se tashmë është formuar  grup pune në Ministrinë e Drejtësisë për ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, propozimi nga grupi duhet të shkojë në Qeveri dhe të hyjë në procedurë parlamentare në dy javët e ardhshme.

“Ata (grupi punues) bënë propozim për përmbajtjen e amendamenteve, duke përfshirë edhe hyrjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë. Sipas njoftimeve, në dy javët e ardhshme ajo iniciativë duhet të kalojë nëpër procedura në Qeveri dhe më pas të hyjë në Kuvend. Në këtë moment ka bisedime në nivele të ndryshme politike, së fundmi ka pasur një të ashtuquajtur takim liderësh mes kryeministrit dhe kreut të partisë kryesore opozitare, i cili deri në këtë moment ka vërejtje, kundërshtime dhe nuk pranon të mbështesë atë amendament të Kushtetutë. Ka pasur disa hapa pozitivë përpara që nga ai takim, por ne jemi ende larg përfundimit të këtij procesi”, ka thënë Pendarovski.

Në pritje të iniciativës, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ndërkaq, sot tha se Kuvendi është i gatshëm që në çdo moment të fillojë procedurën për ndryshime kushtetuese.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase. Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.