Pendarovski: Ndryshim pozitiv po ndodh në VMRO-DPMNE

Presidenti Stevo Pendarovski sot ka vlerësuar se ka ndryshim drastik në sjelljen e partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese. Në një konferencë për shtyp me kolegen e tij sllovene Natasha Pirc Musar, ai qëndroi në të njëjtën linjë me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, duke thënë se opozita e pranoi ndryshimin e Kushtetutës, transmeton Portalb.mk nga DW.

“Një ndryshim pozitiv po ndodh. U habita kur dëgjova se partia kryesore opozitare dëshiron të jetë pjesë e Qeverisë dhe nga pozita e partisë në pushtet të votojë ndryshimet kushtetuese. Për ndryshime kushtetuese mund të votoni nga pozita e opozitës”, tha presidenti.

Pendarovski vlerësoi se nuk është reale të pritet që procesi për ndryshime kushtetuese të përfundojë deri në mesin e shtatorit, kur RMV-ja duhet të jetë nikoqire e procesit Bërdo-Brioni.

Ai tha se edhe nëse fillohet me procedurën nuk do të mund të përfundonim deri më 11-12 shtator, sepse ndryshimet në Kushtetutë zgjasin të paktën 3,5 muaj.

“Por në atë pjesë po ndodh një ndryshim pozitiv në një tablo përgjithësisht gri që e pamë në periudhën e kaluar kur opozita nuk kishte fare vullnet për të votuar ndryshimin e Kushtetutës. Kërkesa kryesore nga konkluzionet e Këshillit të Evropës nga viti i kaluar është që pakica e vogël kombëtare bullgare që jeton në vend të jetë pjesë e Kushtetutës. Së fundmi kemi pasur një mbledhje liderësh ku kryetari i partisë kryesore opozitare ka shprehur gatishmërinë për të hyrë në Qeveri dhe për të votuar ndryshimet kushtetuese dhe ka vendosur disa parakushte, të cilat deri më tani nuk janë zgjidhur. Por është një ndryshim domethënës i sjelljes dhe qëndrimit të partisë më të madhe opozitare, e cila varet nëse do të arrijmë pragun 2/3 të shumicës për të ndryshuar Kushtetutën”, thotë Pendarovski.

Pyetjes së gazetarit se qëndrimet diametralisht të kundërta për epilogun e takimit të liderëve pushtet-opozitë mund të çojnë në krizë të re, Pendarovski u përgjigj se të dyja palët kanë të drejtë. Ai vlerëson se kryeministri Dimitar Kovaçevski ka të drejtë kur thotë se ka ndryshim drastik në qëndrimin e opozitës në lidhje me ndryshimet kushtetuese, e cila në periudhën e kaluar pretendonte se nuk do të votonte për amendamentet kushtetuese nën diktimin bullgar dhe së dyti se kjo përbërje parlamentare nuk mori mandat nga qytetarët në përgjithësi për të hyrë në procesin e ndryshimeve kushtetuese.

“Në anën tjetër, opozita ka të drejtë kur thotë se parakushtet e saj të paraqitura në mbledhjen e liderëve– sidomos për efektin e vonuar të ndryshimeve kushtetuese, duhet të vlejnë kur të hyjmë në BE, për mendimin tim, kjo është jashtë realitetit. Unë do të doja diçka të tillë. Por konkluzionet e Këshillit të Evropës janë të qarta. Duhet të bëni ndryshime kushtetuese deri në fund të skriningut, në mënyrë që të mund të vazhdoni automatikisht me Konferencën e Dytë dhe hapjen e kapitujve. E dini sa vështirë arritëm në këto përfundime. Qëndrimi i Bullgarisë përfshihet në këto përfundime. Ne duhet të kemi konkluzione të reja dhe ju e dini se sa e vështirë ishte arritja e një konsensusi. Është shume e vështirë. Shpresoj që të mos jetë vetëm arsyetim”, thotë Pendarovski.

Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar, në konferencën e përbashkët për media me nikoqirin e saj, presidentin e Maqedonisë, Stevo Pendarovski, tha se është e nevojshme të kemi mençuri politike dhe të ndryshohet Kushtetuta. Ajo theksoi se për të është e qartë se kjo nuk është e lehtë, sepse diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në Slloveni.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase. Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.