Kuçuk: Ndryshimet kushtetuese do të gjenden në Kuvend në dy javët e ardhshme

Procedura në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e vendit do të fillojë në afat prej dy javësh, thotë eurodeputeti bullgar dhe raportuesi për vendin në Parlamentin Evropian, Ilhan Kuçuk, transmeton Portalb.mk.

“Ose këtë javë ose javën tjetër Qeveria do të dorëzojë propozimin konkret të grupit punues në diskutim në Kuvend”, tha Kuçuk për televizionin bullgar BTV.

Kuçuk këtë javë qëndroi në Shkup, në kuadër të diaogut “Zhan Mone” në Kuvend dhe gjatë qëndrimit, siç deklaroi, ka pasur takime me përfaqësues të pushtetit dhe të opozitës. Ai po ashtu, ka dhënë një deklaratë për BNT në lidhje me ndryshimet kushtetuese, ku tha se përfshirja e bullgarëve, malazezëve dhe kroatëve në Kushtetutë është një proces shumë i ndjeshëm dhe sikurse gjatë çdo hapje të cilësdo Kushtetutë, ka procedurë të komplikuar e cila kërkon debat publik, por para së gjithash politik.

“Në bazë të praktikës së Parlamentit Evropian që të mos publikohen raporte para çështjeve të rëndësishme, propozova që shqyrtimi i raportit për përparimin e vendit të mbetet në vjeshtë”, deklaroi Kuçuk.

Ai vlerëson se, prolongimi i shqyrtimit të raportit do të jetë në fabor të të gjithëve, por para së gjtihash për vendin, sepse do të fitojë kohën e nevojshme politike që t’i zgjidh të gjitha problemet.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase. Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.