Deputetët mund të mbeten pa pushime për shkak të ndryshimeve kushtetuese, Xhaferi: Kuvendi është në pritje të materialit

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, konsideron se nuk është problem për Kuvendin të punojë edhe në gusht nëse atëherë vijnë amendamentet kushtetuese, edhe pse deputetët zakonisht në atë muaj shkojnë me pushime, transmeton Portalb.mk.

“Kuvendi është i gatshëm të veprojë sipas procedurave dhe afateve për ndryshimet kushtetuese. Nuk është problem nëse do të vijë në gusht, pyetja është se kur do të marrim materialin dhe prej atëherë fillojnë afatet, pavarësisht nëse është korrik apo gusht. Nuk ka asnjë pengesë për Kuvendin, as gushtin, as shtatorin, as ndonjë periudhë të ditës”, tha Xhaferi për ndryshimet kushtetuese që pritet të mbërrijnë në periudhën e ardhshme në Kuvendin e Maqedonisë.

Vitin e kaluar, deputetët pushuan pothuajse gjithë muajin gusht dhe u rikthyen në ulëset parlamentare në shtator.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase. Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kujtojmë se lideri i VMRO-së Hristijan Mickoski, realizoi takim me kryeministrin dhe kryetarin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ku ishte propozuar që të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në dhe 5 nga 10 ministrat e LSDM-së t’i kalojnë opozitës maqedonase, por që paraprakisht të votohen ndryshimet kushtetuese. Mickoskit i kishte pëlqyer ideja, por kishte një kusht, që BDI-ja të mos jetë pjesë e kësaj Qeverie.

Megjithatë ende nuk ka ndonjë marrëveshje finale, por ekspertët vendas konsiderojnë se gjërat shkojnë në rrugën e duhur.