ANALIZË: Renditja e komunave dhe ndërmarrjeve publike të RMV-së me më shumë borxhe (Infografik)

Vetëm pesë NP-të e para me borxhe më të mëdha në nivel qendror dhe lokal në fund të muajit qershor kanë pasur obligime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 68.000.000 eurosh, ndërsa pesë komunat me më shumë borxhe, ku përfshihet edhe Qyteti i Shkupit, në fund të gjysmëvjetorit të parë ekonomik, së bashku kishin borxh prej 33,1 milionë eurosh, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Cilat janë komunat dhe ndërmarrjet publike me më shumë borxhe të renditura në 30 vendet e para të listës së re të borxhlinjve? 

Ndërmarrjet publike me borxh më të madh…

Në listën e gjithsej 899 institucioneve, agjencive, komunave, ndërmarrjeve publike me më shumë borxhe, në vendin e dytë është NP HM “Infrastruktura” me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej 34,4 milionë euro. Në vendin e 8-të në listën e re të borxhlinjve të Ministrisë së Financave është NP Sistemi Kolektor – Shkup me një borxh të raportuar prej 9,4 milionë euro. Jo vetëm NP-të në nivel qendror, por edhe NP-të në nivel lokal vazhdojnë të renditen lart për sa i përket shumës së borxhit – në vendin e 10-të është NP Ujësjellësi – Kumanovë me një borxh të raportuar prej më shumë se 8,8 milionë euro, e menjëherë pas saj NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup me një shumë borxhi prej 8,5 milionë euro. Në vendin e lartë të 13-të me një borxh prej gati 6,8 milionë euro është NPT Shkup, e cila së bashku me një nga më borxhlinjtë më të mëdhenj NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” janë nën “kapelën” e Qytetit të Shkupit.

Detyrimet e prapambetura, por të papaguara
Detyrimet e prapambetura, por të papaguara – ndërmarrjet

Në vendin e 14-të është NP “Ujësjellësi” Ohër e cila në fund të qershorit ka raportuar një borxh prej 6,1 milionë eurosh, ndërsa pas saj është edhe një tjetër ndërmarrje publike lokale – NPK Tetovë me një shumë borxhi prej 5,4 milionë euro. Me borxhe milionëshe është edhe NP “Komunalec” Strumicë me borxh prej 4,6 milionë euro, NP “Komunalec” Gostivar me një borxh prej 3,8 milionë euro, NP RTM me një borxh prej 3,6 milionë euro, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Strugë me 3,5 milionë euro, NP “Pastërtia dhe Gjelbërimi” – Kumanovë me një borxh prej gati 3,4 milionë euro

Sipas të dhënave të reja, të gjitha ndërmarrjet publike në nivel qendror dhe firmat shtetërore kishin borxh prej 163,8 milionë euro, ndërsa ndërmarrjet publike në nivel lokal 80,3 milionë euro.

Komunat me më shumë borxhe…

Në dhjetëshen e parë me borxh më të madh është Komuna e Tetovës me borxh prej 12,2 milionë eurosh. Për tre muaj, komuna arriti t’i zvogëlojë detyrimet e prapambetura, por të papaguara për pothuajse 2 milionë euro, por kjo komunë edhe më tej mbetet komuna me borxhin më të madh, e renditur në vendin e 7-të në listën e re të borxhlinjve të Ministrisë së Financave. Në vendin e dytë për nga borxhet është Komuna e Gostivarit, e cila në fund të gjashtëmujorit të parë ekonomik ka raportuar detyrime të papaguara në vlerën prej 8 milionë euro, kurse për tre muaj borxhi është rritur për rreth 50 mijë euro.

Detyrimet e prapambetura, por të papaguara - komunat
Detyrimet e prapambetura, por të papaguara – komunat

Në vendin e 17-të në listën e borxhlinjve është Qyteti i Shkupit me detyrime të prapambetura, por të papaguara në vlerë prej gati 5 milionë eurosh, ndërsa për tre muaj borxhi u rrit për rreth 2 milionë euro. Komuna e Ohrit me borxh më të madh se 4,7 milionë euro, renditet menjëherë pas Qytetit të Shkupit, në vendin e 18-të Komuna e Dellçevës renditet e 26-ta me një borxh prej 3,1 milionë euro.

Në fund të muajit qershor, borxhi i përgjithshëm i brendshëm arriti në 443,5 milionë euro dhe në nivel tremujor është rritur për rreth 2,2 milionë euro.