RMV, nga Klinika e Onkologjisë dhe dy banesa në Shkup janë marrë për ekspertizë disa kompjuterë dhe dokumentacion

Prokuroria Themelore Publike Shkup dhe Ministria e Punëve të Brendshme vazhdojnë të ndërmarrin aksione në procedurën parahetuese në Klinikën e Onkologjisë, njofton Portalb.

Siç informojnë sot nga Prokuroria Publike, aksioni është realizuar në bazë të informatave në tekste gazetareske lidhur me punën e Klinikës.

Gjatë ditës së djeshme, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup.

Madje janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës.

“Kontrollet po bëhen me qëllim të sigurimit të dëshmive që të hetohen shenjat eventuale të veprës kriminele”, thuhet në kumtesën e sotme nga Prokuroria.

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, i cili sot dha mbështetje për aksionin e mbrëmshëm të Prokurorisë dhe policisë në Klinikën e Onkologjisë, pret që institucionet shpejtë të prononcohen lidhur me hetimin.

“Si ministër, fuqimisht i dënoj të gjithë tentimet ose veprimet, e individëve ose grupeve, të cilët përmes autorizimeve diskrecionale dhe mënyrave të sjelljes së vendimeve në dobi personale, kanë shkaktuar dëm të pakompensuar ndaj shëndetit dhe jetës së pacientëve, qytetarëve dhe shtetit. Pre që institucionet shpejtë të prononcohen lidhur me hetimin”, thuhet në deklaratën me shkrim të Mexhitit.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski konsideron se krahas përgjegjësisë penale, duhet të ketë edhe përgjegjësi politike për rastin me Klinikën e Onkologjisë.

“Për disa muaj prej sot, të gjithë këta persona të cilët janë pjesë e kësaj mafie shëndetësore, e cila ka përfituar në kurrizin e pacientëve të cilët e kanë humbur jetën e tyre, do të nxirren para drejtësisë dhe normalisht që në pajtueshmëri me dëshmitë do të sanksionohen. Duhet të kërkohet edhe përgjegjësi politike për të gjithë ata të cilët kanë qenë në dijeni për gjendjet e këtilla, ndërsa asgjë nuk kanë ndërmarrë në periudhën e kaluar”, tha Mickoski.

Klinikën e Onkologjisë në kompleksin klinik universitar “Nënë Tereza” në Shkup mbrëmë është realizuar një aksion policor, ku siç raportuan një pjesë e mediave aksioni vjen pas publikimit të informacioneve se punonjësit e klinikës në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.