Presidenti ukrainas Zelensky shkarkoi ministrin e mbrojtjes Reznikov

Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov është shkarkuar nga posti i tij, njoftoi Presidenti Volodymyr Zelensky, i cili propozoi Rustem Umerovin, drejtorin aktual të fondit të pronës shtetërore, si pasardhës të tij. Reznikov, 57 vjeç, mori detyrën përpara fillimit të pushtimit rus të Ukrainës dhe që atëherë ka qenë një nga figurat më të shquara, duke marrë pjesë rregullisht në takime me aleatët perëndimorë dhe duke lobuar për pajisje ushtarake, transmeton Portalb.mk.

Në fjalimin e natës, Zelenski tha se nevojitet një qasje e re në Ministrinë e Mbrojtjes. Mediat ukrainase spekulojnë se Reznikov do të jetë ambasadori i ri në Britaninë e Madhe.

Zëvendësimi i Reznikov është paralajmëruar prej disa kohësh, por ekspertët besojnë se kjo nuk do të çojë në ndonjë ndryshim në taktikat e Ukrainës në fushën e betejës, ku fjalën kryesore e ka gjenerali Valery Zaluzhny, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Zelensky zëvendësoi Reznikovin ndërsa ai lufton me korrupsionin më të gjerë në qeveri. Edhe pse vetë Reznikov nuk u akuzua për korrupsion, kishte një sërë skandalesh të tilla në ministrinë e tij, prandaj zëvendësi i tij Vyacheslav Shapovalov dha dorëheqjen vitin e kaluar.

Reznikov do të zëvendësohet nga Rustem Umerov, i cili përfaqësoi Ukrainën në bisedimet e paqes në fillim të luftës dhe shfaqi simptoma të helmimit pas një takimi të tillë në mars 2022.