PATRIARKATI

Patriarkati është konstrukti social më i fuqishëm që njerëzimi e ka krijuar. Për mileniume me radhë, postulatet kryesore të këtij konstrukti janë ngulitur aq thellë në psikologjinë tonë sa që shumica e njerëzimit i merr ato si të qena, si të vërteta të cilat duhet të zbatohen, dhe jo vetëm që nuk i konteston ato por vazhdon edhe sot ti konsiderojë si aksioma. Njerëzimi në historinë e tij ka zhvilluar shumë konstrukte sociale, por patriarkati është ai që i bashkon të gjithë. Pavarësisht kombit apo fesë së tyre, të gjithë janë dakord për atë se cila gjini duhet të jetë dominante në shoqëri.

Kështu, patriarkati është ngulitur aq thellë në qenien e njeriut sa që jo vetëm burrat, por edhe shumica e grave nuk e kontestojnë fare këtë konstrukt social dhe u duket tërësisht normal. Në këtë mënyrë normalizohet pabarazia gjinore që në moshë të hershme dhe me veprime simbolike. Vajzat dhe djemtë që kur lindin identifikohen me ngjyra të ndryshme, vajzat duhet të jenë rozë, të bukura, të ëmbla të urta, djemtë duhet të jenë blu, të lirë të jenë vetvetja, në një botë ku vetëm qielli është kufiri për ta. Pastaj vajzat rriten duke luajtur me lodra për vajza, të cilat jo vetëm që janë rozë, por kryesisht e përgatisin atë për punët e shtëpisë të cilat i nguliten në tru që në vegjëli se janë tërësisht përgjegjësi e saj, të cilën ajo jo vetëm që ka për detyrë ta bëjë por duhet të ndjejë kënaqësi duke e bërë. Kështu vajzat e vogla luajnë me kukulla të cilat bëjnë makijazh dhe ndryshojnë veshjet e tyre, pastaj bëjnë fëmijë dhe gatuajnë e pastrojnë shtëpinë.

Djemtë luajnë me blloqe ndërtimi, me modele të komplikuara legosh, me lojëra që zhvillojnë inteligjencën e tyre dhe nxisin aftësi për ndërtimtari, kodim, lojëra kompjuterike e të ngjashme. Edhe mbi djemtë ushtrohet presion i madh për ta pranuar rolin e tyre të paracaktuar në shoqërinë patriarkale. Djemve të vegjël nuk guxojnë tu pëlqejnë lojërat e vajzave, nuk mund të luajnë me kukulla, dhe assesi nuk duhet të stimulohen me lojëra për të bërë punët e shtëpisë ose për të gatuar. Këto janë punët e vajzave dhe grave. Kur shkoni në një dyqan me lodra për të blerë diçka për fëmijën tuaj, a e keni vënë re që makinat thithëse, setet e gatimit, filxhanët e çajit, dhe të gjitha mjetet e pastrimit janë me ngjyra “vajzash”?

Po mesazhet nëpër teshat e fëmijëve i kenë vënë re ndonjëherë? Te bluzat e vajzave ka mesazhe si “Vajzë e bukur” ose “Gjithmonë e bukur”, ndërsa tek bluzat e djemve ka mesazhe si “Ti ke lindur të jesh vetvetja, dhe jo të jesh perfekt”. Këto janë të gjitha shembuj eklatantë të patriarkalizmit që e normalizojnë ndarjen e roleve në shoqëri, dhe e tregojnë si të përshtatshme një shoqëri të dominuar nga burrat, dhe si krejtësisht të papërshtatshme e shpesh edhe të papranueshme një shoqëri ku gruaja bën diçka tjetër në jetë, përveç kujdesit të përhershëm ndaj familjes.

Duke u rritur në këtë ambient, me këtë sistem universal të vlerave patriarkale, bëhet normale që djemtë t’i kenë të gjitha mundësitë për të përparuar dhe të ecin para edhe kur nuk i kanë kualifikimet ose aftësitë e nevojshme. Ndërsa vajzat, sado të jenë të afta, ngecin prapa dhe janë gjithmonë haptazi ose fshehurazi të diskriminuara. Kur bëhet fjalë për përparimin në karrierë dhe aftësimin profesional, vërehet që nuk përparojnë gjithmonë ata që janë më të kualifikuar dhe më të aftë, por ata që kanë më së paku pengesa për të përparuar.

Gara mes burrave dhe grave në këtë shoqëri është gjithmonë e padrejtë, sepse burrat vrapojnë në vrap të lirë ndërsa gratë vrapojnë në vrap me pengesa. Dhe normalisht burrat arrijnë më parë deri te qëllimi, gjë që e sqaron faktin pse ka më shumë menaxherë të lartë të kompanive burra, pse ka më shumë politikanë burra dhe pse në pozitat vendimmarrëse në shoqëri gjithmonë shohim burra. Sepse burrat janë të lirë të vrapojnë para, ndërsa gratë kur fillojnë të vrapojnë duhet të kërcejnë shumë pengesa. Gratë vrapojnë dhe, hop, duhet të kërcejnë pengesën e gatimit për gjithë shtëpinë. Pasi e kalojnë këtë, hop, duhet të kërcejnë pengesën e hekurosjes. Pasi e kalojnë edhe këtë, hop, duhet të kërcejnë pengesën e kujdesit të vazhdueshëm që pritet që tua japin fëmijëve. Sepse të gjithë i fajësojnë gratë si nëna jo të mira kur zgjedhin që të bëjnë edhe karrierë përveç mëmësisë.

Askush nuk i fajëson burrat si baballarë jo të mirë. Dhe kështu hop pas hopi, dikur gruaja arrin te caku, por kur arrin e para atje, sheh që shumë burra, zakonisht moshatarët e saj që ajo i ka tejkaluar në shkollë me nota shumë më të mira se ata, kanë arritur para saj te caku dhe janë bërë njerëz të mëdhenj. Kjo është kështu për shumicën e grave, sepse konstrukti social i patriarkatit i ka programuar ato që të funksionojnë vetëm sipas një parimi: vetësakrifikimit.

Kështu gruaja vetësakrifikohet gjithmonë për familjen e saj. Ajo e lë pas dore shkollimin dhe profesionalizimin e saj duke u ndalur vetëm në shkollimin bazik, ku sot hyn edhe fakulteti. Pastaj ajo, edhe pse e kualifikuar, nuk kyçet në tregun e punës dhe këtë e bën shpesh vullnetarisht duke u koncentruar në obligimet familjare të cilat asaj i janë bërë krejtësisht të natyrshme që në vegjëli.

Pasi rriten fëmijët, ajo vendos të fillojë të punojë, por tani ajo duhet të nisë një karrierë nga e para, shumë vite pas bashkëmoshatarëve të saj burra që tani më janë ngjitur lartë në shkallët e karrierës. Kur fillon ajo të punojë, duhet ti menaxhojë edhe pritshmëritë në shtëpi, ku të gjithë janë mësuar të presin prej saj: ajo duhet të jetë supergruaja që e mban shtëpinë dhe punon e sjell para në shtëpi. Ajo duhet të jetojë gjithmonë për të tjerët dhe asnjëherë për veten. Dhe e gjithë kjo vetëm sepse është grua. Edhe ajo vet është e bindur se kështu duhet të jetë bota dhe nuk e shef të arsyeshme ta kontestojë këtë realitet.

Ende sot flasim për emancipimin e gruas. Emancipim do të thotë çlirimi i një personi nga një ndalesë e vendosur më herët. Diçka e ngjashme si kur i kanë liruar robërit, dhe e kanë ndaluar skllavërinë. Por emancipimi i grave përmendet një herë në vit, me 8 mars, kur grave u lejohet të bëjnë çka të duan, dhe më pas duhet të kthehen në ndalesat e përhershme të patriarkatit. Patriarkati është robëria nga të cilat gratë ende nuk janë emancipuar, dhe nuk do të çlirohen edhe për kohë shumë të gjatë. Sepse për shumicën e njerëzve, duke përfshirë këtu edhe shumicën e grave, ky konstrukt social është aq thellë i ngulitur në tru sa që shihet si normal dhe gjithçka jashtë tij shihet si diçka abnormale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.