Produkte menstruale falas në FETI, studentët vetë kanë printuar kuti me printer 3D

Në Fakultetin e Elektroteknikës dhe Teknologjive Informatike (FETI) është realizuar me sukses iniciativa për qasje falas deri te produktet menstruale në kuadër të fakultetit. Kjo iniciativë u ndërmor dhe plotësisht u realizua nga ana e Parlamentit Studentor (PSF) të FETI-t gjatë vitit të kaluar, me mbështetje teknike dhe financiare nga ana e asistentëve dhe dekanatit të fakultetit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Diçka më shumë se 50% e trupit studentor të FETI-t janë femra dhe për ato cikli menstrual është një proces i përditshëm fiziologjik. Duke pasur parasysh se pjesën më të madhe të ditës e kalojmë në hapësirat e fakultetit, nevoja për produkte menstruale është aq bazike sa edhe ajo për letër higjienike toaleti, sapun apo preparat për dezinfektim. Iniciativa jonë nuk lindi në ndonjë moment eureka”, sqaron Anastasija Markovska, kryetarja e PS të FETI-t.

Emilija Mitovska, kryetarja e Komisionit për arsim dhe shkencë të PS të FETI-t thekson se studentet bëjnë pjesë në një nga kategoritë më të goditura nga varfëria menstruale.

Markovska më pas e ka propozuar këtë ide para Komisionit të arsim dhe shkencë pranë PS të FETI-t. Më pas, dekani menjëherë e ka mbështetur këtë ide, me atë që e ka lënë implementimin e iniciativës plotësisht në duart e Parlamentit Studentor.

Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor të Fakultetit fillimisht kanë pasur probleme gjatë gjetjes së kontakteve nga firma të Maqedonisë për produkte menstruale online, për shkak të mungesës së informatave për kontakt nga ana e kompanive. Problemin e kanë zgjidhur duke u lajmëruar nëpër numrat e telefonave të shtypur në vetë produktet, me çka kanë marrë dy oferta. Ato kanë zgjedhur njërën, e kanë prezantuar para Njësisë për prokurime publike në dekanat dhe është pranuar.

Problemi i dytë me të cilin janë përballur studentët ka qenë furnizimi me dispenserë për pecetat. Për shkak të pamundësisë për tu furnizuar me pajisje të tillë në vendin tonë, importimi i të njëjtës nga jashtë shtetit do të kushtonte shumë. Zgjidhja e tyre ka qenë të dizajnojnë dhe të printojnë dispenserë të tyre, duke i përdorur 3D printerët e sapo blerë në fakultet.

“Nga aspekti teknik arritëm ta zgjidhim problemin e dispenserëve me krijimin e fabrikës sonë të re për prodhim, FabLab, ku siguruam 3D printerë. Në kuadër të kurseve për punë në FabLab-in e FETI-t, studentët u pajisën me njohuri praktike dhe arritën që vetë t’i dizajnojnë dhe projektojnë këto mbajtëse”, tha prof. D-r Dimitar Tashkovski, dekan i FETI-t.

Foto: Meta.mk

Për përpunimin e modelit adekuat për 3D printer ka qenë përgjegjës studenti Vlladimir Kitanovski. “Së pasi, zgjodhëm se me cilat peceta sanitare do të punojmë. E përcaktuam se cilat duhet të jenë dimenzionet, si dhe karakteristika të tjera inxhinierie. Pas disa përpjekjeve me dizajnim dhe rivizatim, arritëm formën e pëlqyer dhe filluam të bëjmë prodhim serik”, sqaron Kitanovski.

Screenshot nga softueri në të cilin është dizajnuar dispenseri / Foto: Vlladimir Kitanovski, publikuar me lejen e autorit

Mirëpo, nga PSF theksojnë se plani ende nuk është përfunduar plotësisht. Tani për tani janë vendosur vetëm dy dispenserë, ndërsa qëllimi i tyre është të ketë dispenser në çdo tualet të fakultetit.

Përndryshe, më 11 korrik të këtij viti nga ana e qeverisë u përcaktua teksti për uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar nga 18 në 5 përqind për qarkullimin e produkteve menstruale. Mirëpo, ende nuk është realizuar iniciativa e Qytetit të Shkupit për furnizimin e shkollave të mesme me produkte menstruale falas, për të cilën u votuan mjete në vlerë prej 2.000.000 denarësh.

“Këtë recetë që e jap nuk e bëj që të mburrem se sa shumë kemi punuar për këtë iniciativë, por që ta sqaroj procesin dhe t’u kursej kohë të gjithë atyre që do të duan të ndërmarrin iniciativë të ngjashme në institucionin e tyre, qoftë ai arsimor apo jo. Kjo nuk është gjë e shtrenjtë, por është jashtzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për shkak të statistikave alarmante për varfërinë menstruale në Maqedoni, por edhe se është absurde në shekullin e 21 anembanë botës të lutemi për qasje deri të higjiena elementare”, konkludon Markovska.