Ministria e Financave e zvarrit hapjen e çerdhes në Komunën e Tearcës, nuk përgjigjet për punësimet

As kërkesa e tretë për miratimin e punësimeve për hapjen e çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës assesi të merr përgjigje nga Ministria e Financave, ky institucion e zvarrit procesin pa dhënë sqarime, shkruan Portalb.mk.

Objekti i çerdhes në fshatin Përshefcë vazhdon t’i mbajë dyert e mbyllura, pavarësisht nevojës së madhe për çerdhe në këtë rajon.

Ministria e Financave muajt e fundit dy herë i ka refuzuar kërkesat për punësime në këtë çerdhe, objekti i së cilës është përfunduar para tre viteve.

Më 17 mars 2026 është dërguar kërkesë e re për miratimin e punësimeve, por pavarësisht se ka kaluar më tepër se një muaj, Ministria e Financave nuk ka dhënë ende përgjigje.

“Jo nuk kemi përgjigje ende, është tejkaluar (afati) por kjo nuk na takon neve”, tha shkurt kreu i Komunës së Tearcës, Daut Memishi për Portalb.

Kërkuam sqarime nga Ministria e Financave, por nga ky institucion na e dërguan të njëjtën përgjigje që na e kanë dërguar në shumicën e rasteve kur kemi parashtruar pyetje gazetareske për këtë çështje.

“Ministria e Financave, pas kërkesave të dorëzuara nga shfrytëzuesit buxhetorë, vepron në përputhje me Ligjin për buxhetet dhe dërgon njoftim te shfrytëzuesi buxhetor që ka paraqitur kërkesë për realizimin e punësimeve të reja në institucion”, thanë nga Ministria e Financave.

Pavarësisht premtimeve dhe afateve kohore si nga administrata e kaluar komunale ashtu edhe ajo aktuale, çerdhja vazhdon të jetë e mbyllur.

Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit. Më pas hapja vazhdoi të zvarritet me procedurat administrative për punësimet.

Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.

Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.

Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Realizues të punëve ndërtimore ishin AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore ishin EuroConsult LTD-Shkup.