Ministria e Financave dha pëlqim për punësimet që pamundësonin hapjen e çerdhes në Përshefcë, Komuna e Tearcës hesht

Pas shumë zvarritjeve dhe dy përgjigjeve negative, Ministria e Financave më në fund ka dhënë pëlqim për punësimet që për shkak të mosrealizimit të tyre pamundësohej hapja e çerdhes së re në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës. Tani është në dorë të Komunës së Tearcës që ta vijojë këtë proces, por komuna dhe kryetari i saj, Daut Memishi heshtin, shkruan Portalb.mk.

Ditë më parë, Ministria e Financave ka dhënë pëlqim për miratimin e punësimit të stafit në çerdhen e re në Përshefcë të Tearcës, objekti i të cilit me vite i mban dyert e mbyllura.

“Ministria e Financave, brenda afatit të përcaktuar me ligj, ka dërguar njoftim përkatës lidhur me kërkesën e paraqitur nga shfrytëzuesi buxhetor, në përputhje me dispozitat ligjore, te Ministria kompetente për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini”, thanë nga Ministria e Financave.

Edhe nga Ministria e Politikës Sociale na e konfirmuan të njëjtën.

“Ky pëlqim i është dërguar institucionit parashkollor dhe ai tashmë mund të fillojë procedurën e punësimit”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.

Kërkuam sqarime edhe nga Komuna e Tearcës dhe kryetari i saj Daut Memishi për procedurën e mëtejme, se kur pritet të përfundojë ky proces dhe çerdhja t’i hapë dyert, por nuk na u përgjigjën.

Pavarësisht premtimeve dhe afateve kohore si nga administrata e kaluar komunale ashtu edhe ajo aktuale, çerdhja vazhdon të jetë e mbyllur.

Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit. Më pas hapja vazhdoi të zvarritet me procedurat administrative për punësimet.

Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.

Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.

Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Realizues të punëve ndërtimore ishin AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore ishin EuroConsult LTD-Shkup.