Çerdhja e Tearcës ka dhjetë muaj që është ndërtuar, komuna ende nuk e ka lidhur rrjetin e ujësjellësit

Pavarësisht se prej muajit janar kanë mbaruar punimet ndërtimore të çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës, objekti ende nuk është lëshuar në përdorim pasi Komuna e Tearcës nuk ka arritur t’i kryejë të gjitha obligimet, e as nuk tregon se kur çerdhja do të hap dyert që prindërit të mund t’i dërgojnë fëmijët, shkruan Portalb.mk.

Ndërtimi i kësaj çerdheje ka filluar në fillim të vitit 2022 dhe pritej të përfundojë në mars ose në prill të vitit 2023, me kapacitet për të akomoduar rreth 190 fëmijë. Në janar të këtij viti, kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, për Kohën tha se janë në përfundim të fazës së dytë të projektit.

“Janë në përfundim e sipër disa punime finale, siç janë kyçja në rrjetin e furnizimit të ujit të pijshëm dhe kyçjen e objektit në rrjetin e elektrifikimit. Pra, mendojmë se të gjithë këta punë duhet që të mbyllen në muajin mars ose në muajin prill të këtij viti”, deklaroi atëherë Neziri.

Të pyetur nga Portalb.mk se ku janë me procedurën, nga Komuna e Tearcës thanë se ende po bëjnë lidhjen e çerdhes në rrjetin e ujësjellësit.

“Procesi i lidhjes së ujësjellësit është në procedurë e sipër (projekti, mbikëqyrja, tenderimi) i cili besojmë se shumë shpejt do të jetë gati…sistemi i energjisë elektrike është kryer”, shkruajnë nga Komuna e Tearcës.

Kryetari Nuhi Neziri, deklaroi se Komunës i është kërkuar të vendos sistem filtrimi, që nuk ka qenë i parashikuar dhe ka vonuar procedurën.

Nga Komuna gjithashtu thonë se për momentin po vazhdojnë me rrafshimin e terrenit, vijëzimin e parkingut dhe rregullimin e terrenit përreth objektit të çerdhes. Sipas tyre, hapja do të jetë së shpejti.

Sipas mbikëqyrësit të ndërtimit, firmës “EuroConsult”, lidhja e objektit në rrjetin e ujësjellësit dhe në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike janë problemet e vetme aktuale që pengojnë vënien në funksion të çerdhes.

“Problemi me çerdhen në Tearcë nuk është te ne, është përfunduar ndërtimi i objektit, ne i kemi kryer të gjitha procedurat, por komuna duhet t’i kryejë detyrat e saja për sa i përket lidhjes në rrjetin e ujësjellësit dhe të rrymës”, thanë për Portalb.mk nga “EuroConsult“.

Ky projekt realizohet me fonde të Bashkimit Evropian. Vlera e tij është 60,216,736 denarë me TVSH apo 980 mijë euro. Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale. Realizues të punëve ndërtimore janë AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore janë EuroConsult LTD-Shkup.