Ministria e Financave për herë të dytë i tha ‘jo’ hapjes së çerdhes në Komunën e Tearcës, nuk i miratoi punësimet

Ministria e Financave për herë të dytë e ka refuzuar kërkesën për punësime në çerdhen e re në Komunën e Tearcës, me çka pamundësohet hapja e objektit, shkruan Portaëb.mk.

Objekti i çerdhes në fshatin Përshefcë vazhdon t’i mbajë dyert e mbyllura, pavarësisht nevojës së madhe për çerdhe në këtë rajon.

Megjithatë, Ministria e Financave nuk e ka parë të arsyeshme të jep pëlqim për punësime në këtë institucion që më pas i njëjti t’i hapë dyert.

Ministria e Politikës Sociale bëri të ditur për Portalb.mk se Ministria e Financave nuk ka dhënë pëlqim për punësime.

“Është dorëzuar njoftim nga Ministria kompetente e Financave se për punësimet e përmendura aktualisht nuk janë siguruar mjete financiare. Njoftimi përkatës i është përcjellë çerdhes për informim dhe veprime të mëtejshme”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.

Nga aty shtuan se nëse nga ana e kopshtit dorëzohet kërkesë e re, e harmonizuar në mënyrë përkatëse, Ministria do të veprojë në përputhje me kompetencat e saj dhe të njëjtën do ta përcjellë në Ministrinë e Financave për rishqyrtim dhe vendimmarrje të sërishme.

Nga Ministria e Financave, si në shumë raste të tjera nuk japin asnjë detaj, dërgojnë përgjigje të përgjithshme e cila nuk tregon arsyet e mosdhënies së pëlqimit për punësime.

“Ministria e Financave vepron sipas kërkesave të paraqitura në përputhje me dispozitat ligjore dhe njoftimet përkatëse i dërgon te shfrytëzuesit kompetentë të buxhetit”, thanë nga Ministria e Financave.

Nga Komuna e Tearcës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske për këtë çështje.

Kujtojmë se Ministria e Financave edhe para pak muajsh dha pëlqim negativ për punësimet pasi procedura u zhvillua në fund të vitit, kur ekziston periudhë shumë e shkurtër për realizimin e punësimeve të reja.

Pavarësisht premtimeve dhe afateve kohore si nga administrata e kaluar komunale ashtu edhe ajo aktuale, çerdhja vazhdon të jetë e mbyllur.

Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit. Më pas hapja vazhdoi të zvarritet me procedurat administrative për punësimet.

Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.

Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.

Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Realizues të punëve ndërtimore ishin AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore ishin EuroConsult LTD-Shkup.