RMV, përfundoi viti shkollor, se kur do të fillojë viti i ardhshëm do të dihet në fund të këtij muaji

Sot përfundon viti shkollor për rreth 185.000 nxënës të shkollave fillore në Maqedoni. Me shfaqje muzikore, por edhe me muzikë “live” për gjysmëmaturantët në oborret e shkollave, u shënua përfundimi i detyrimeve shkollore për vitin e kaluar 2022/2023. Tani pasojnë mbledhjet dhe këshillat përfundimtare të prindërve, në të cilat do të shënohen notat përfundimtare të nxënësve, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri ka bërë të ditur për Meta.mk se deri në fund të këtij muaji do të ketë vendim nga Qeveria nëse viti i ardhshëm shkollor do të fillojë më 10 shtator, në vend të 1 shtatorit si deri më tani.

Një pjesë e evidencës pedagogjike, përfshirë notat e nxënësve, shënohet nga mësuesit në ditar elektronik. Autoritetet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës po mendonin të mundësonin dëftesa digjitale, por për momentin nuk ka njoftime se kjo risi do të realizohet së shpejti.

Zyrtarë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASh) premtuan se nuk do të vonohen dëfesat për nxënësit. Çdo shkollë do të përcaktojë individualisht datat për dhënien e dëftesave.

“Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZhA), nën juridiksionin e së cilës është zbatimi i procedurës për prokurimin e dokumentacionit pedagogjik për shkollat ​​(përfshirë dëftesat), tashmë e ka përmbushur atë detyrim. Është lidhur një kontratë me një operator ekonomik dhe tashmë është duke i dorëzuar vërtetimet për të gjitha departamentet”, njofton MASh.

Vitin e kaluar nxënësit, prindërit dhe shkollat ​​nuk dinin se kur do të marrin dëftesat, pas çka më në fund u lidh marrëveshje për blerjen e tyre.

Dëftesat janë për nxënësit kurora e përfundimit të vitit shkollor, por vitin e kaluar ndarja e tyre tradicionale, që zakonisht bëhet në qershor, mungoi. Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, nxënësit nuk dinin se kur do t’i merrnin dëftesat.