Pahomët e kohës sonë

Tregimi “Për sa tokë ka nevojë njeriu” i Tolstoit është alegori mbi lakminë dhe pashmangshmërinë e vdekjes.

Pahomi, një fshatar i varfër, besonte se lumturia varej nga pasuria. Pas shumë kursimesh, ai bleu një copë tokë. Mund të rronte mirë, por ambicia për pasuri nuk e la të qetë. Një ditë mësoi se në Vendin e Bashkirëve mund të merrte tokë falas sa t’i donte shpirti, me kusht që deri në fund të ditës të rikthehej në pikën e nisjes. Pahomit i pëlqenin tokat dhe tentonte të shkelte sa më shumë. Kalonin orët dhe duhej të kthehej në pikën e nisjes. Por aq shumë ishte larguar sa për t’u rikthyer i duhej të vraponte. I rraskapitur, ai arriti në çastin e fundit te kryetari i bashkirëve. Dhe vdiq. Një punëtor i hapi varrin, gjithsej dy metra dhe e mbuloi me dhe.

Tregimi i Tolstoit përcjell mesazhet se lakmia s’ka kufi; se teprimi çon në shkatërrim; se lumturia gjendet te përkorësia.

Pahomëve të kohës sonë u buzëqeshi fati, por ambiciet e mëdha i bënë të pangopshëm. Ata nuk kënaqen edhe sikur të kenë pasurinë e botës. I ngjajnë Midasit mitologjik, i cili dëshironte ta kthente në flori çdo gjë që prekte. Por vdiq nga uria, sepse sapo prekte ushqimin i bëhej flori. Midasi, që e kuptoi se kjo dhunti ishte mallkim, kishte fund të trishtueshëm si Pahomi.

Për pangopshmërinë shkroi edhe Sofokliu: “Se nga gjithë gjërat që gjeti njeriu / Shpikja e parasë është më e keqe, / Kjo rrënon qytete, kjo shkreton shtëpia, / Kjo dhe një të miri mendjen ia merr / Dhe e shtyn të bëjë punëra të liga”.

Secili popull ka thënie mbi lakminë. Shqiptarët kanë thënien: “Lakmitari është gjithmonë i varfër”.

Sot kompanitë e mëdha bëhen gjithnjë më të pangopshme. Këtë pangopshmëri e përshkruar bukur shkrimtari boshnjak Zuko Xhumhur në veprën “Udhëtim drejt Pakuptimësisë”: “Hanet e vjetra turke në rrugë janë zëvendësuar nga stacionet e makinave në autostrada. Grabitësit romantikë, që dikur sulmonin udhëtarët dhe karvanët e vetmuar, nuk ekzistojnë më. Ata janë zëvendësuar nga kompani të mëdha ndërkombëtare që sulmojnë kombe të tëra. Vjedhja është zhvendosur ngadalë nga pallatet perandorake në politikën ndërkombëtare”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.