“Llaskarca”: Atëherë të mos bëjmë kontroll teknik, i tha gjykatësja ekspertit pasi deklaroi që kontrolli nuk është garanci që automjeti s’do të prishet
Kontrolli teknik nuk është garanci se pas kontrollit, automjeti nuk mund të prishet dhe për këtë ka raste kur automjeti sapo ka dalë nga stacioni teknik është prishur. Kështu deklaroi sot eksperti Lupço Apostollov, i cili bashkë me dy kolegë të tij e ka përgatitur superekspertizën e komunikacionit për aksidentin e autobusit të “Durmo Turs”, i cili ka ndodhur në Llaskarcë në shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe 37 të tjerë janë lënduar. Ndaj deklaratës së ekspertit, reagoi gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, duke theksuar që nëse është ashtu, atëherë duhet të mos bëhet fare kontroll teknik, raporton Portalb.mk.
Në Gjykatën Penale të Shkupit sot ka vazhduar seanca gjyqësore për “Llaskarcën” me parashtrimin e pyetjeve nga Lupço Micevski, avokat i shoferit të autobusit, Manoil Trifunovski, ndaj ekspertit Apostollov.
Avokati në pyetjet e para u ndal tek emri i ekspertit, gjegjësisht pse në ekspertizë është nënshkruar me emrin Lupço, ndërkaq në letërnjoftim e ka emrin Lube.
“Jam pagëzuar sipas gjyshit, për shkak të një tragjedie familjare dhe për këtë më kanë quajtur Lupço. Deri në klasën e tetë e kam ditur që unë e kam emrin Lupoço. Kur e mora dëftesën më thanë që nuk mund të regjistrohem dhe se në dokumente qëndron emri Lube. Nuk më pengon të më quani daç Lupço, daç Lube”, tha eksperti Apostollov.
A keni qenë për kontroll të autobusit në Gjorçe të tre ekspertët e komunikacionit më 29.11.2022, vazhdoi me pyetjet avokati i shoferit Micevski.
“Unë kam qenë, për të tjerët as mund të konfirmoj e as mund të mohoj”, tha Postollov.
Avokati e pyeti se sa shoferë autobusin e aksidentuar e kanë vozitur, për çka eksperti tha që sipas njohurive të tij autobusin e kanë vozitur disa shoferë, por për ditën e aksidentit nuk i ka kushtuar vëmendje për të parë se sa shoferë e kanë vozitur.
“Me rëndësi është që dihet se kush e ka vozitur autobusin kur është bërë aksident”, tha eksperti për çka avokati vazhdoi të parashtrojë edhe disa pyetje tjera për këtë çështje, gjegjësisht se kush i pari e ka vozitur autobusin ditën e kobshme, por ai vazhdoi me insistimin se “nuk ka njohuri dhe kjo nuk është me rëndësi”.
A e dini se kur i akuzuari për herë të fundit e ka vozitur autobusin përpara ditës kur ka ndodhur aksidenti, vazhdoi me insistimin avokati Micevski, por përgjigja e Postollovit ishte e njëjtë “Nuk e di dhe nuk është me rëndësi”.
“Gjithmonë gjykohet dhe vlerësohet për automjetin dhe pastaj e tregojmë se kush ka e ka drejtuar automjetin. Detyra jonë ka qenë që ta përcaktojmë dinamikën e aksidentit”, shtoi Postollov.
Në librezën e këtij autobusi (të aksidentuar), shkruan se ka dy boshte, ndërkaq në fakt ka pasur tre boshte, a guxon që ta kalojë kontrollin teknik ashtu siç e ka kaluar dy herët e fundit në 2 korrik dhe 18 dhjetor të vitit 2018-të (dy kontrollet e fundit para aksidentit).
“Nëse mundet ose jo, varet prej shumë faktorëve, por në librezën duhet të shkruajë aq boshte sa ka autobusi”, tha Postollov.
Në këtë rast, kontrolluesit e stacionit teknik “AMZ Gostivar” (stacioni ku janë bërë kontrollet teknike të autobusit) dhe udhëheqësi i saj çfarë është dashur të bëjnë në këtë rast, ku në librezë shkruan se ka dy boshte, ndërkaq në të vërtetë ka tre.
“Personat zyrtar kanë qenë të detyruar që nëse do të hetonin se në vend të 3 boshteve shkruan 2, atë ta korrigjojnë në librezë, por kjo nuk ka kurrfarë shkak-pasoje për aksidentin, se çfarë shkruan në librezë”, tha Postollov.
Avokati Micevski, vazhdoi me një sërë pyetjesh ndaj ekspertit Postollov, në lidhje me atë në çfarë kategorie ka bërë pjesë autobusi i aksidentuar.
“A ishte në kategorinë M2 apo M3”, pyeti disa herë Micevski ndaj çka, eksperti tha se nuk ka qenë e detyrë e tij që ta kontrollojë këtë, por megjithatë “më duket se ka qenë M3”.
Micevski disa herë insistoi që t’i testojë njohuritë e tij, duke e pyetur se “çfarë dallimi ka mes automjeteve të kategorive M2 dhe M3”, por eksperti insistonte se nuk janë marrë me atë çështje dhe se ata nuk janë mekanik, por ekspertë që kanë kryer superekspertizën e komunikacionit.
“Zonja gjykatëse, prej 33 pyetjeve, 30-të kanë qenë për aspektin makinerik dhe jo të komunikacionit”, i tha Postollov gjykatëses.
Seti i radhës i pyetjeve të avokatit Micevski, ishte në lidhje me kontrollin teknik.
“A keni parë kontrollues që të hyjë në kanalin (ku bëhet kontrolli) dhe ta shohë pjesën e poshtme të autobusit”, pyeti Micevski Apostollovin, për çka mori përgjigje “jo”.
Prej dy video-incizimeve të dy kontrolleve teknike të 2 korrikut dhe 18 dhjetorit të vitit 2018-të, Apostollov e ka parë vetëm njërën video, gjegjësisht atë të korrikut.
“Gjitha materialet që i kemi pasur i kemi parë s’e di për çfarë arsye, por kishte edhe materiale që nuk ishin funksionale, apo ndoshta dhe për shkak të teknikës sonë të vjetër”, u përgjigj Apostollov ndaj pyetjes së avokatit të shoferit.
Eksperti vijoi të deklarojë se, megjithatë, kontrolli teknik nuk është garanci për gjendjen e autobusit.
“Nuk ka asnjë garanci se automjeti nuk do të prishet pas kontrollit teknik, edhe nëse gjithçka është në rregullt me të gjatë kontrollit. Nuk ka garanci”, tha eksperti Postollov, për çka gjykatësja Diana Gruevski Ilievska i tha “atëherë të mos bëjmë pra fare kontroll teknik”.
Postollov, duke arsyetuar deklaratën e tij, tha se në përvojën e tij ka pasur dy raste të cilat, automjetet menjëherë pas kontrollit teknik janë prishur.
“Për këtë, nuk do të thotë që automjeti me kontrollin teknik tërë vitin do të jetë në rregull”, tha Postollov.
Meqenëse përmendët se në përvojën tuaj keni pasur dy raste ku automjetet sapo kanë dalë nga kontrolli teknik janë prishur, a dini ndonjë rast të ndodh e kundërta, për shembull, automjeti në kontroll teknik të jetë i prishur dhe në ndërkohë vetë të rregullohet, pyeti avokati Micevski, për çka mori përgjigje se nuk di rast të tillë, pasi automjeti vet nuk mund të rregullohet.
Apostollov vazhdoi me insistimin e tij se aksidenti ka ndodhur dy muaj pas kontrollit të fundit teknik dhe për dy muaj mund të ndodhin shumë defekte.
Në ndërkohë, avokati vazhdoi dhe me disa pyetje në lidhje me gjendjen e frenave, gjegjësisht a është dashur ta lëshojnë nga kontrolli teknik autobusin i cili nuk i ka pasur frenat në gjendje të rregullt.
Postollov, u përgjigj duke thënë se “jo nuk është dashur të lëshohet”, duke shpjeguar se sipas procedurës, automjeti kthehet që t’i rregullojë defektet dhe më pas kalon.
Ndryshe, superekspertiza e komunikacionit, ashtu sikur superekspertiza makinerike, është përgatitur me urdhër të gjykatës, ekspertizat paraprake kanë pasur kontradikta mes tyre. Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, fajin ia hedhin shoferit të autobusit, ndërkaq avokati i shoferit, pretendon që fajtore është kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.
Sipas dy ekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.
Prokurori konteston superekspertizat, ashtu sikur edhe familjarët e viktimave.
Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.
“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.
GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.