Nxënësit e Çairit po i ngjyrosin muret në pjesën e poshtme të Sheshit “Skënderbeu”

Nxënësit e Çairit në bashkëpunim me arsimtarët e artit kanë filluar t’i ngjyrosin muret në pjesën e poshtme të Sheshit Skënderbeu, për të cilën Portalb.mk disa herë raportoi se është në gjendje kaotike dhe me mbeturina.

“Muralet me motive kombëtare, që po i realizojmë te Sheshi Skënderbeu si Komunë e Çairit në bashkëpunim me nxënësit dhe arsimtarët e Artit të shkollave tona komunale, po marrin formë shumë të bukur. Sot i vizitova nxënësit dhe arsimtarët që po vizatonin muralet dhe i inkurajova që të vazhdojnë me aktivitetet e tilla, sepse me këtë jo vetëm që ngritin vetëdijen qytetare për artin, por edhe ndihmojnë në ruajtjen e vlerave kombëtare”, shkruan kryetari i Çairit Visar Ganiu.

Paraprakisht, Portalb.mk, disa herë informoi se pjesa e poshtme e Sheshit “Skënderbeu”, i cili qytetarëve u ka kushtuar mbi 14 milionë euro është në gjendje kaotike dhe të papastër. Nga vizitat e ekipit të Portalb.mk u evidentua mure të shkarravitura dhe mbeturina të hedhura gjithandej, ndërkaq disa prej mozaikëve në muret e sheshit mund të shihen se kanë filluar të dëmtohen. Përreth dyqaneve, mund të vërehen pjesë të dëmtuara të inventarit, ndërkaq mungon dhe ndriçimi përkatës.

Gjendja është po aq katastrofike me dy ashensorët e Sheshit, të cilat janë të thyer dhe mbushur me mbeturina, ndërkaq nuk funksionojnë as shkallët elektrike.