Sheshi “Skënderbeu” i cili kushtoi 14 milionë euro në gjendje skandaloze, i vërshuar nga mbeturinat, tendat do të largohen

Sheshi “Skënderbeu” në Shkup, është vendi kryesor ku shqiptarët mbajnë manifestimet kulturore, artistike, por edhe politike dhe civile. Projekti i cili qytetarëve u kushtoi 14 milionë euro, nga partia në pushtet BDI me vite u propagandua si krenari dhe kryevepër, por sot është i mbuluar nga bërlloku, pa ashensor funksional dhe shkallë elektrike, shkruan Portalb.mk.

Do të largohen tendat e dëmtuara gjysmësferike

Për shkak të temperaturave të ulëta, Komuna e Çairit ka vendosur që t’i largojë tendat e dëmtuara gjysmësferike nga Sheshi “Skënderbeu”, pavarësisht se plani ishte që në muajin maj të zëvendësohen me të reja, njofton Portalb.mk.

“Komuna e Çairit momentalisht i ka largu tendat gjysmësferike të dëmtuara te sheshi “Skënderbeu”. Rivendosja e tendave të reja do të realizohet në fillim të pranverës së vitit 2024, kjo pasi që temperaturat e ulëta i dëmtojnë tendat në fjalë”, thonë nga Komuna e Çairit për Portalb.mk.

Deri në pranverë, sheshi do të mbetet pa tendat e vetme ku qytetarët kanë pasur mundësi të strehohen nga shiu ose vapa.

Papastërti dhe kaos në shesh

Portalb.mk, ka vizituar Sheshin “Skënderbeu” më 20 tetor, 31 tetor dhe 9 nëntor në orare të ndryshme për të parë gjendjen me pastërtinë, në Sheshin “Skënderbeu”. Në të tre datat e vizituara, në pjesën e sipërme të sheshit dhe të poshtme, pamë mbeturina dhe papastërti.

gjendje kaotike mbetet ashensori i sheshit, i cili nuk punon, por është i mbushur me mbeturina, ashtu sikur edhe shkallët elektrike të cilat nuk funksionojnë. Monumentit “abc”, i cili është vendosur në vitin 2018-të në Ditën e Alfabetit, vazhdon t’i mungojë shkronja “c”. Komuna e Çairit nuk u përgjigj në pyetjet e Portalbit për këto çështje.

Në pjesën e poshtme të sheshit gjendja është po aq katastrofike – mure të shkarravitura dhe mbeturina të hedhura gjithandej, ndërkaq disa prej mozaikëve në muret e sheshit mund të shihen se kanë filluar të dëmtohen.

Për më shumë ndiqeni videon e realizuar nga Portalb.mk:

Duhet përmendur se gjatë kësaj periudhe, derisa e vëzhgonim Sheshin “Skënderbeu”, më 1 nëntor të këtij viti, kryetari i Çairit, Visar Ganiu shpërndau një video, ku shihen disa punëtorë duke e pastruar me një automjet-cisternë pjesën e poshtme të sheshit, përreth bustit të “Skënderbeut”.

Por, pavarësisht kësaj, gjendja e përgjithshme në Sheshin “Skënderbeu” është e papastër.

Më poshtë mund ta shihni dhe videon promovouese të Sheshit “Skënderbeu”:

Sheshi “Skënderbeu” u hap zyrtarisht në shtator të vitit 2017-të, ndërkaq punimet për të kanë filluar që në vitin 2012-të dhe ka një hapësirë prej mbi 28 mijë metra katrorë.