Sheshi “Skënderbeu” në Shkup mbrëmë me drita në pjesën e sipërme, papastërti dhe kaos pjesën e poshtme (VIDEO)

Pas shkrimeve të Portalbit për gjendjen skandaloze të Sheshit Skënderbeu në Çair të Shkupit i cili u ka kushtuar qytetarëve mbi 14 milionë euro, autoritetet komunale kanë ndërmarrë aksion për rregullimin e sheshit, gjegjësisht, kanë vendosur drita në pjesën e lartë të sheshit dhe përreth statujës së Skënderbeut dhe muralit qendror. Megjithatë, gjendja nën sheshin Skënderbeu, ku ndodhen dyqanet është po e njëjta – pa drita dhe në gjendje të papastër.

Dyqane të mbyllura dhe vetëm me disa drita prej dyqaneve të cilat i kanë vendosur sa për të mos qenë hapësira krejt në terr, inventar të prishur dhe mbeturina të hedhura gjithandej. Kjo mund të shihej mbrëmë në pjesën e poshtme të Sheshit Skënderbeu, derisa Komuna e Çairit mbrëmë publikoi një video me pamje të sheshit Skënderbeu të incizuar me dron.

Në pjesën e poshtme të sheshit gjendja ishte e njëjtë edhe gjatë vizitave të Portalbit më 20 tetor, 31 tetor dhe 9 nëntor në orare të ndryshme.

Nga ana tjetër, Komuna e Çairit ka ndërmarrë disa aktivitete për ta rregulluar pjesën e sipërme të sheshit, gjegjësisht i ka larguar tendat gjysmësferike dhe ka vendosur drita në pjesën e sipërme të sheshit dhe përreth statujës së Skënderbeut dhe muralit qendror. Tendat, autoritetet komunale kanë premtuar se do t’i vendosin në pranverë.

Mbrëmë, Portalb.mk ishte në Sheshin Skënderbeu dhe incizoi pjesën e poshtme të sheshit, e cila është diametralisht e kundërt me pamjen mbi shesh.

Për më shumë ndiqeni videon:

Gjatë ditës së djeshme, ekipi i Portalbit në sheshin “Skënderbeu” vërejti ekipe të parqeve dhe gjelbërimit, të cilët i rregullonin parcelat për mbjellje të luleve.

Megjithatë, shkallët elektrike për t’u ngjitur në pjesën e sipërme të sheshit vazhdojnë të mos punojnë, ashtu sikur edhe dy ashensorët të cilët janë jashtë funksionit, njëri është i mbushur me mbeturina, ndërkaq tjetri është i thyer.

Foto-galeri gjatë vizitës së djeshme të Portalb.mk paradite dhe në mbrëmje:

Tekstet paraprake:

Sheshi “Skënderbeu” u hap zyrtarisht në shtator të vitit 2017-të, ndërkaq punimet për të kanë filluar që në vitin 2012-të dhe ka një hapësirë prej mbi 28 mijë metra katrorë.