Tendat në Sheshin “Skënderbeu” vazhdojnë të jenë të grisura, Komuna e Çairit vonohet me sanimin

Kanë kaluar katër muaj prej kur Portalb.mk raportoi se tendat gjysmësferike në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup janë të grisura, por situata në terren është e njëjtë – autoritetet lokale nuk i kanë rregulluar.

Pavarësisht se nga Komuna e Çairit në mars të këtij viti thanë për Portalb.mk, se tendat do të rregullohen në muajin maj, sipas vizitës sonë që bëmë në terren, pamë se ende nuk është bërë asgjë.

Në ndërkohë, mund të shihet se edhe monumentit “ABC” ende nuk i është “rikthyer” shkronja “C”.

Portalb.mk, pyeti Komunën e Çairit në lidhje me mosrregullimin e tendave, megjithatë, prej atje, deri në publikimin e tekstit nuk dërguan përgjigje.

Këto tenda janë pjesa e vetme e mbuluar e këtij sheshi 14 milionë eurosh, ku qytetarët mund të strehohen nga shiu ose vapa e verës.

Problem tjetër i Sheshit Skënderbeu vazhdon të jetë mosfunksionimi i ashensorëve dhe shkallëve elektrike, pavarësisht se sheshi është i ngritur lartë 28 shkallë. Me këtë, përveç që është e vështirë të ngjiten personat e moshuar, është i paarritshëm për personat me pengesa.

Gjithashtu, vazhdon të mbetet jashtë funksionit edhe fontana në pjesën e poshtme dhe ajo në pjesën e sipërme, të cilat sipas asaj që i pamë sot, ishin të papastra. Gjithashtu në pjesën e sipërme, persona të pandërgjegjshëm e kanë shkarravitur murin dhe xhamin mbrojtës të fontanës.

Ndryshe, sheshi “Skënderbeu” u hap zyrtarisht në shtator të vitit 2017-të, ndërkaq punimet për të kanë filluar që në vitin 2012-të dhe ka një hapësirë prej mbi 28 mijë metra katrorë.