Pavarësia festohet pa shqiptarët: Asnjë shqiptar në mesin e mbi 30 artistëve në koncertin e sontëm në Shkup
Ashtu si edhe në qytetet tjera, edhe sonte në Shkup nuk do të ketë asnjë artist shqiptar në koncertin për Pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, raporton Portalb.mk.
Pas udhëtimit nëpër qytetet e vendit, karvani i “Fort shkëlqeu dita“ sonte përmbylljen do ta ketë në Shkup, ku do të ketë koncert muzikor kushtuar 35 vjetëve të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.
Në skenë do të ngjiten mbi 30 performues, por asnjë nga ata nuk është shqiptar.
Për këtë diskriminim e pyetëm Qeverinë se pse nuk ka të angazhuar shqiptarë në këto organizime. Nga Qeveria u arsyetuan se në Tetovë do të ketë të angazhuar edhe interpretues në gjuhën shqipe, duke mos dhënë detaje se kush do të jenë si dhe për ngjarjet tjera.
“Ky spektakël me rastin e 35 viteve të pavarësisë është paraparë të ketë veçori në të gjitha shfaqjet në 11 qytete, përkatësisht të jetë i ndryshëm në pjesën muzikore-skenike. Prandaj, konkretisht, është paraparë edhe program i veçantë për festimin në Tetovë dhe janë angazhuar edhe interpretues në gjuhën shqipe”, thanë nga Qeveria për Portalb.mk ditë më parë.
Në prag të 35 vjetorit të pavarësisë së vendit dhe 25 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon ta anashkalojë gjuhën shqipe dhe shqiptarët, të cilët përbëjnë rreth 30 përqind të popullsisë.
Shqiptarët dhe gjuha shqipe janë anashkaluar edhe në videoklipin për 35 vjetorin e pavarësisë së vendit i publikuar dje nga Qeveria dhe kryeministri Hristijan Mickoski.
Përveç se videoklipi nuk është i përkthyer në shqip, në përmbajtje nuk ka thuajse asnjë element shqiptar, me raste paraqiten disa sekuenca nga Çarshia e Vjetër e Shkupit, por pa asnjë kontekst i cili asocon te shqiptarët.
Portalb.mk kërkoi nga Qeveria se pse gjuha shqipe dhe shqiptarët janë përjashtuar nga ky videoklip, por nuk morëm përgjigje.
Pavarësisht se VLEN është në Qeveri nga atje u arsyetua se nuk e kanë parë spotin e 35 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ku janë anashkaluar shqiptarët,
Më 8 shtator 1991, në Republikën e Maqedonisë u zhvillua referendum ku mbi 95% votuan për shtet të pavarur, pas të cilit u shpall Republika e pavarur e Maqedonisë, e cila deri atëherë ishte pjesë e ish-Jugosllavisë.
- LEXO: As në koncertin e Pavarësisë në Kumanovë nuk pati asnjë artist shqiptar, vazhdon diskriminimi nga qeveria
- LEXO: VLEN nuk e ka parë anashkalimin e shqiptarëve në spotin e 35-vjetorit të pavarësisë, edhe pse është në Qeveri
- LEXO: Qeveria e ‘harroi’ gjuhën shqipe dhe shqiptarët edhe në videon promovuese të 35 vjetorit të pavarësisë
- LEXO: Maqedonia e Veriut me flamur të “ri” për pavarësi, 12 në vend të 8 rrezeve