Filipçe: Ndryshimet kushtetuese mbeten kusht, mund të jemi të zemëruar me Evropën, por duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të marrim vendime të vështira

Me një festë të veçantë partiake, pesë ditë para Ditës së Pavarësisë, opozitarja LSDM dje eshënoi 8 Shtatorin. Festimin ia kushtuan rolit historik të presidentit të parë, Kiro Gligorov, transmeton Portalb.mk.

Lideri i partisë, Filipçe, theksoi meritat e tij për pavarësimin paqësor dhe ruajtjen e shtetit nga lufta.

Filipçe porositi se politika shtetformuese e Gligorovit duhet të jetë udhërrëfyes edhe sot, veçanërisht në procesin e integrimit evropian, dhe bëri thirrje për vendime të përgjegjshme, veçanërisht në procesin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë kusht që Maqedonia të vazhdojë rrugën e integrimit evropian.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë përfshirjen e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.