Gjykata Penale shqiptoi masë paraburgimi për një person pas dhunës në Çair

Gjyqtari i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup, duke vepruar pas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup për caktimin e masës për sigurimin e pranisë ndaj 19-vjeçarit B.I. nga Shkupi, i dyshuar për dhunë ndaj një fëmije në lagjen Çair të Shkupit, pas deklarimit të tij lidhur me propozimin, ka marrë vendim me të cilin i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, transmeton Portalb.mk.

B.I. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Dhunë”, nga neni 386, paragrafi 6, në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.

Masa e paraburgimit është caktuar për shkak të ekzistimit të rrethanave të parashikuara në nenin 165, paragrafi 1, pikat 1, 2 dhe 3 të Ligjit për Procedurën Penale, përkatësisht rrezikut të arratisjes, mundësisë që i dyshuari të pengojë hetimin duke ndikuar te dëshmitarët, si dhe rrethanave që tregojnë rrezik për përsëritjen e veprës penale.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese brenda 24 orëve pranë Këshillit Penal të Gjykatës Themelore Penale në Shkup.

Paraprakisht Prokuroria Themelore Publike në Shkup nxori urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 19 vjeçarit.

I dyshuari dhe vëllai i tij i mitur, i cili është nën moshën ligjore për përgjegjësi penale, kanë ndërmarrë veprime të dhunshme, gjatë të cilave një fëmijë dhe një person madhor kanë pësuar lëndime të rënda trupore nga goditjet me thikë, ndërsa një fëmijë tjetër është lënduar lehtë.

Me veprimet e tyre, ata kanë shkaktuar te publiku dhe te personat e pranishëm ndjenjë pasigurie, rrezikimi, frike dhe shqetësimi.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit madhor.

Ndryshe dje janë arrestuar pesë persona për incidentin e rëndë në Çair, ku një 13-vjeçar u plagos me thikë. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se një i mituri ndodhet në gjendje shumë të rëndë dhe po lufton për jetën.