Kodi Zgjedhor ende pezull, Mickoski: U kemi dhënë propozim, por opozita nuk ka ende qëndrim të koordinuar
Mënyra aktuale se si voton diaspora nuk i përgjigjet kapacitetit real, pasi një numër i madh i tyre nuk mund ta ushtrojnë të drejtën e votës, veçanërisht mërgimtarët që jetojnë në Kanada dhe Australi, tha kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.
Ai tha se shumica qeverisëse është përpjekur të paraqesë një propozim që fillimisht ishte pranuar, së bashku me të gjitha ndryshimet e tjera që përmbajnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, dhe se ligji ishte nënshkruar dhe gjithçka ishte përfunduar. Megjithatë, sipas tij, edhe pse partia Levica fillimisht ishte dakord, tani po bën “teatër” për numrin e vogël të votuesve që ende u besojnë dhe se pretendimet e tyre nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën.
“Imagjinoni që këta njerëz të marrin mundësinë të drejtojnë një institucion të caktuar – çfarë do të ndodhte. Ata thonë: ‘Ne nuk nënshkruajmë me ju, ne jemi pasues të Robespierit dhe nuk mundemi me ju.’ Kështu nuk funksionon. Nëse doni të merrni pjesë, duhet të mbani përgjegjësi”, tha Mickoski.
Më tej, ai tha se më pas reagoi partia e dytë opozitare, LSDM, e cila paraqiti mijëra amendamente dhe vërejtje të ndryshme. Pas kësaj, VMRO-DPMNE dha një propozim të qartë – që opozita të merret vesh mes vete për gjithçka që dëshiron të përfshihet në Kodin Zgjedhor, por që në të të përfshihet edhe kërkesa për votimin e diasporës. Sipas tij, për këtë do të merrnin mbështetje të pakushtëzuar nga shumica qeverisëse, por edhe pas disa ditësh nuk kishte mbërritur asnjë përgjigje nga opozita.
“Thamë ta përfundojmë këtë deri më 15 korrik, në mënyrë që dhjetë hapat të përfundojnë me sukses. Pritëm disa ditë, po presim ende, por nuk kemi një qëndrim të harmonizuar të opozitës. Kam parasysh Levicën, LSDM-në, BDI-në dhe një pjesë të deputetëve që nuk e di si funksionojnë, deputetët e Selës, Taravarit… Nga ana e grupit qeverisës kemi një qëndrim të unifikuar. Na tregoni çfarë dëshironi dhe vendoseni në letër”, tha Mickoski.
Mickoski tha gjithashtu se do të pajtoheshin edhe me një njësi të vetme zgjedhore dhe se janë të gatshëm të heqin dorë nga një pjesë e mjeteve financiare që do t’u takonin, në mënyrë që ato t’u kalojnë partive më të vogla. Ai shtoi se do të pranojnë çdo propozim që opozita mendon ta bëjë, por se përpjekjet e deritanishme kanë qenë të kota, pasi nga pala tjetër nuk ka pasur asnjë përgjigje.
Nëse vazhdohet kështu, Kodi Zgjedhor me shumë gjasa nuk do të përfshihet në ligjet reformuese të zbatuara për të cilat Maqedonia duhet të paraqesë raport në Komisionin Evropian më 15 korrik mbi atë që është bërë deri në fund të 30 qershorit.
Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.
Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.
- LEXO: Votimi i diasporës thelloi përplasjet politike në RMV, partitë larg marrëveshjes për Kodin Zgjedhor
- LEXO: Kodi Zgjedhor nuk do të jetë pjesë e reformave të zbatuara nga ana e RMV-së deri në qershor
- LEXO: Kodi Zgjedhor i RMV-së ngeci te votimi elektronik i diasporës
- LEXO: LSDM: Mickoski dëshiron ligj zgjedhor me të cilin askush nuk do të kontrollojë rreth 200 mijë vota