Parkingu tek Kuvendi i RMV-së, pyetje prej 700.000 eurosh pa përgjigje
Shteti e ka kthyer pronësinë mbi parcelën pranë Kuvendit në të cilën kompania “Ango“ nga Shkupi për dhjetë vjet me radhë nuk arriti të ndërtojë garazh me kate, por ende nuk është e qartë nëse është paguar dëmshpërblimi prej rreth 700.000 eurosh, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Të padisponueshme janë edhe përllogaritjet sipas të cilave erdhi deri në rritjen e dëmshpërblimit për më shumë se dy herë nga shuma të cilën kompania e pagoi për parcelën në vitin 2013, pasi ekspertiza teknike është e paqasshme për publikun.
Në dekadën e mëparshme “Ango“ edhe përkundër bllokimit e ruajti të drejtën e ndërtimit, duke e pasur pranë vetes si avokat Pançe Toshkovskin, i cili për një kohë të gjatë i përfaqësonte ata në betejat juridike me Komunën Qendër. Bashkëpunimi i tyre bazohet në faktin se ministri aktual i punëve të brendshme dhe familja Trpkovski, e cila qëndron pas kompanisë “Ango“, janë miq dhe fqinjë në një ndërtesë të vogël në Bunjakovec.
Edhe krahas interesit të qartë publik për këtë rast prej disa muajsh institucionet përgjegjëse, Kuvendi dhe Ministria e Financave, ose i injorojnë pyetjet, ose ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit për informacionet rreth pagesës.
Ndërkohë BIRN zbulon se Qeveria ka propozuar ndryshim në mënyrën e dëmshpërblimit përmes hapjes së një llogarie të veçantë të Kuvendit për këtë qëllim. Ky hap, i kombinuar me heshtjen e institucioneve, ngjall dyshime për shmangien e procedurave të zakonshme për pagesën e mjeteve buxhetore, me çka do të shmangej publikimi publik i transaksioneve përmes platformës “Financa të Hapura”.
Heshtje rreth pagesës
Shteti u përfshi në zgjidhjen e sagës dhjetëvjeçare me garazhin pas rrethimit të parcelës dhe nxjerrjes së eskavatorëve nga kompania “Ango” në verën e vitit 2024, vetëm pak javë para se të skadonte afati dhjetëvjeçar për përfundimin e ndërtimit.
Atëkohë Qeveria e re në krye me Hristijan Mickoskin si argument për dëmshpërblimin e pranoi edhe atë që autoritetet e shmangnin me këmbëngulje për më shumë se një dekadë: potencialin serioz që garazhi të përbëjë rrezik sigurie për deputetët.
Verën e ardhshme u miratua ligji që duhet ta garantojë sigurinë e Kuvendit dhe në të u inkorporua mekanizmi me të cilin shteti do ta marrë parcelën prej pothuajse 2.500 metrash katrorë dhe do ta dëmshpërblejë kompaninë në mënyrë adekuate.
Pas kësaj Qeveria e ngarkoi Ministrinë e Financave ta paguajë kompaninë “Ango“, pasi Avokatura e Shtetit, institucion puna e të cilit është që t’i mbrojë interesat e shtetit, ta bëjë vlerësimin se sa para duhet t’i kthehen asaj.
Ekspertiza i është dërguar Ministrisë se Financave në mars të këtij viti, ndërsa në ndërkohë parcela u bë pronë shtetërore.
Gjatë kësaj periudhe BIRN vazhdimisht ka parashtuar pyetje për pagesën dhe nga institucionet e përfshira merrte përgjigje të llojit “lënda është në procedurë e sipër.“
Informacioni që e mësuam vetëm tani, i “fshehur“ në procesverbalin e mbledhjes të Qeverisë – i publikuar pesë muaj më vonë, zbulon se Ministria e Financave pas pranimit të ekspertizës në prill ka kërkuar ndryshim të procedurës së pagesës.
Sipas procesverbalit pas kësaj kërkese Qeveria i ka rekomanduar Kuvendit të hapë llogari të veçantë për këtë qëllim dhe aty të paguhen paratë për kompaninë “Ango“, por pas rebalancit të buxhetit këtë verë.
Në dokument është shënuar se ministri Pançe Toshkovski është përjashtuar nga marrja e vendimit.
Edhe krahas këmbënguljes disajavore të BIRN, as Kuvendi e as Ministria e Financave nuk zbulojnë nëse është hapur llogaria e veçantë dhe nëse paratë nga Ministria e Financave janë derdhur në llogari dhe nga aty i janë transferuar kompanisë “Ango”. Në portalin shtetëror “Financa të Hapura”, ku regjistrohen pagesat nga buxheti, nuk arritëm të zbulojmë nëse paratë e kanë kaluar këtë rrugë të përcaktuar paraprakisht.
Nga ana tjetër, përpjekja për të mësuar diçka nga pronarja e “Ango“-s, Ankica Trpkovska, mori dimension komik.
Ajo fillimisht nuk u përgjigj në thirrjen BIRN. Pastaj, pasi e kishte parë se kishte thirrje të humbur, telefonoi vetë. Pasi i dëgjoi pyetjet ajo me ngut e ndërpreu bisedën me një arsyetim jologjik.
“Më falni, nuk mund të flas! Tani jam në një takim, do t’ju kërkoj më vonë“, u përgjigj Trpkovska, me sa duket duke harruar se ishte ajo që kontaktoi këtë herë.
Edhe pse premtoi ajo nuk na telefonoi më vonë.
Ekspertizë e paqasshme për publikun
Publiku nuk ka qasje as në ekspertizën që përcaktoi se krahas investimit fillestar për blerjen e parcelës dëmshpërblimi duhet t’i mbulojë edhe shpenzimet e tjera që kompania i ka bërë në përpjekjen e saj për ta ndërtuar garazhin, siç janë paratë për taksat komunale, elaboratet, projektet dhe tatimet.
Në disa muajt e fundit, përderisa BIRN e kërkonte këtë dokument, institucionet vetëm sa ia kalonin përgjegjësinë njëri-tjetrit.
Më 22 korrik të këtij viti Avokatura e Shtetit informoi se edhe pse e kishte porositur ekspertizën teknike, tani nuk e posedonte më atë.
“Sa i përket informacionit të kërkuar – kopje të ekspertizës, përkatësisht vlerësimit mbi bazën e të cilit është hartuar kërkesa në fjalë, ju përcjellim se ajo i është kthyer në formën origjinale Ministrisë së Financave, e për këtë arsye Avokatura e Shtetit për rajonin e Shkupit nuk disponon me dokumentin e lartpërmendur.“
“Për këtë arsye kërkuesi udhëzohet që për marrjen e informacionit të kërkuar të drejtohet pranë Ministrisë së Financave“, thuhet në vendimin pas kërkesës së BIRN për qasje të lirë në informata me karakter publik.
Një javë më vonë, pas një kërkese tjetër të dërguar për qasje të lirë në informata me karakter publik, Ministria e Financavei ktheu përsëri te Avokatura e Shtetit.
“Për dokumentet e kërkuara është kompetente Avokatura e Shtetit, prandaj është e nevojshme t’i drejtoheni Avokaturës së Shtetit si institucion kompetent, si posedues i informacionit, i cili e ka krijuar dhe e posedon atë.“
Ndërkohë në nëntor të vitit 2024, pak kohë pas ardhjes së VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit në pushtet, pronarja e kompanisë “Ango“, Ankica Trpkovska, u zgjodh anëtare e Komisionit të Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE), institucionit shtetëror që e rregullon sektorin e telekomunikacionit.
Në seancën parlamentare për të votuan 61 deputetë të shumicës në pushtet.
Trpkovska nuk është e punësuar në AKE. Ajo duhet të marrë pjesë në seancat e Komisionit, i cili në njëfarë mënyre funksionon si këshill drejtues, miraton raporte dhe programe vjetore, e ndjek realizimin e tyre si dhe e shkarkon dhe e zgjedh drejtorin.
Për këtë angazhim ajo merr kompensim mujor në vlerë prej katër pagash mesatare, gjegjësisht rreth 2.700 euro.