Vdekja e një gruaje të re dhe vajzës së saj gjashtëvjeçare, të cilat humbën jetën pasi ajo u hodh bashkë me fëmijën e saj nga ballkoni i banesës së tyre, nuk është thjesht një tragjedi familjare. Është një dështim institucional që kërkon reflektim serioz.
Është e vërtetë se viktima e kishte raportuar dhunën në familje, por më pas i kishte tërhequr kallëzimet. Por ky fakt nuk mund të përdoret si justifikim për pasivitetin institucional që rezultoi me këtë tragjedi. Përkundrazi, në praktikën e rasteve të dhunës në familje, tërheqja e kallëzimit është shpesh tregues i frikës, presionit, varësisë ekonomike apo kërcënimeve të drejtpërdrejta.
Hezitimi i viktimës nuk e ul rrezikun. Shpesh, e rrit atë.
Në të njëjtën kohë, është konstatuar se Qendra për Punë Sociale nuk e ka kryer detyrën e saj në mënyrë të duhur. Kjo e thellon përgjegjësinë institucionale. Sepse në rastet e dhunës në familje, barra e mbrojtjes nuk mund t’i lihet vetëm guximit të viktimës për të këmbëngulur në kallëzim. Institucionet kanë detyrim të veprojnë mbi bazën e rrezikut, jo vetëm mbi bazën e procedurës formale.
Dhuna në familje nuk është konflikt privat. Është çështje e sigurisë publike dhe e të drejtave të njeriut. Në formën e saj më ekstreme, ajo përfundon në femicid, një pasojë e parashikueshme kur sinjalet paralajmëruese injorohen ose relativizohen.
Në ndërkohë afrohet 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, dhe ne do të shohim sërish lule, fjalime dhe gjeste simbolike. Por simbolika nuk zëvendëson përgjegjësinë.
Një lule nuk mjafton.
Çdo raportim i dhunës duhet të trajtohet me seriozitet maksimal, edhe kur viktima lëkundet. Institucionet duhet të aplikojnë vlerësim profesional të rrezikut, të analizojnë historikun e sjelljes së dhunshme dhe të ndërmarrin masa mbrojtëse aty ku ekziston rrezik real, pavarësisht nëse viktima, nga frika apo presioni, heq dorë nga procedura.
Qendrat për Punë Sociale, policia, prokuroria dhe gjykatat duhet të funksionojnë si një mekanizëm i koordinuar dhe proaktiv. Roli i tyre nuk është vetëm reagues, por parandalues. Nëse dhuna është e dokumentuar, institucionet kanë detyrimin të mbrojnë jetën.
Gratë kanë nevojë për alternativa reale për t’u larguar nga dhuna, pavarësi financiare, strehim të sigurt, mbështetje sociale. Pa këto, tërheqja e kallëzimit shpesh nuk është zgjedhje e lirë, por pasojë e mungesës së opsioneve.
Gratë nuk kanë nevojë për urime simbolike, një darkë me shoqet apo një ditë pushimi me rastin e 8 Marsit. Ato kanë nevojë për përkrahje të vazhduar, e veçanërisht kur gjërat nuk shkojnë mirë. Kanë nevojë që të kenë një familje ku mund të kthehen gjithmonë dhe ta gjejnë derën hapur. Kanë nevojë për prindër, vëllezër e motra që do t’i presin krahëhapur dhe nuk do t’i këshillojnë të bëhen të durueshme ndaj dhunës, me qëllim që ta ruajnë nderin dhe familjen. Kanë mbi të gjitha nevojë për një sistem shkollor që do ti mësojë të vendosin prioritete në jetë, të kenë respekt për veten, dhe për këtë të mos quhen vetjake, karieriste apo egoiste. Ato kanë nevojë për një sistem shkollor që lufton me steriotipet shekullore dhe që më në fund pushon së promovuari meshkujt si të destinuar të dominojnë mbi gratë e gratë si të detyruara të vetësakrifikohen gjthmonë, çdo ditë, për gjithçka dhe gjithkend.
Angazhimi i një shteti ndaj barazisë gjinore nuk matet me ceremonitë e 8 Marsit. Matet me mënyrën se si trajtohen rastet e dhunës në familje. Matet me faktin nëse institucionet veprojnë me kujdes të shtuar kur një grua heziton, duke kuptuar se hezitimi mund të jetë shenjë rreziku, jo shenjë sigurie.
Një mesazh urimi nuk e ndal dhunën.
Një buqetë nuk e zëvendëson përgjegjësinë institucionale.
Një ditë pushim nuk e garanton mbrojtjen.
Gratë nuk kanë nevojë për simbolikë një herë në vit.
Ato kanë nevojë për institucione që funksionojnë, që vlerësojnë rrezikun me seriozitet dhe që ndërhyjnë me kohë.
Mbi të gjitha, ato kanë nevojë të jetojnë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.